Franca me kryeministër të ri

31/03/2014 00:00

Presidenti francez François Hollande caktoi Manuel Vals, që aktualisht mbante postin e ministrit të Brendshëm në detyrën e kryeministrit.

Vendimi vjen pas goditjes së rëndë që mori Partia Socialiste në zgjedhjet lokale, rezultatet e të cilave treguan triumfin e konservatorëve dhe Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë.

51 vjeçari, Vals do të zëvendësojë në këtë post, Jean Marc Ayrault, i cili paraqiti dorëheqjen të hënën.  Ayrault pranoi se shumë votues humbën besimin tek administrata e tij.

“Mesazhi është i qartë – pati thënë ai përpara dorëheqjes. Presidenti do të nxjerrë konkluzionet dhe do ta bëjë këtë në interes të Francës- duke iu referuar ndryshimeve në kabinetin qeveritar”.

Gjatë një fjalimi drejtuar kombit, François Hollande tha se Franca duhet “të rregullojë siç duhet financat e saj dhe pranoi se është koha për ndryshim”.

Ai propozoi; reduktime të taksave dhe kontributeve të punetorëve për të nxitur krijimin e vendeve të punës.

Shifrat e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Francë treguan se socialistët humbën më shumë se 150 qytete, me më shumë se 9000 banorë.

Fronti Kombetar i Marine Le Pen kontrollon aktualisht 11 qytete, kryesisht në jug te Francës. Opozita e qendrës së djathtë, Unioni për një Lëvizje Popullore (UMP) mori disa qytete kryesore; si Toulouse, Kimper, Limoges, Saint-Etienne. Por socialistët ruajtën kontrollin në Paris. Kandidatja e tyre, Anne Hidalgo do të jetë kryebashkja e parë femër e kryeqytetit.

Kush eshte Manuel Vals?
I lindur në Barcelonë, me origjinë katalanase, Manuel Vals njihet në Francë “si kryepolici”. Sondazhet treguan se ai ishte figura më popullore për të marrë postin e kryeministrit.

Disa analistë e krahasojnë me ish-presidentin Nikola Sarkozy, i cili gjithashtu kishte drejtuar Ministrinë e Brendshme.

Të tjerë vendosin paralele mes tij dhe ish-kryeministrit britanik, Toni Bler për idetë e tij pro-biznesit dhe për stilin e tij elegant.

Por si Sarkozy, ai u identifikua me debimet e romëve të papunë që jetonin në kampe, të ngritur prej tyre, në periferi të qyteteve. Ai ishte i shpejtë për të arritur në skenat e krimit, njësoj si Sarkozi, por krahasimi nuk e bezdiste aspak, veçanërisht, nëse flitet për energjinë dhe shpirtin luftarak të Sarkozy. Përpara se të zgjidhej ministër i Brendshëm, ai ishte bashkiaku i Evry.

Në vitin 2011 mori 5.6 % të votave të Partisë Socialiste, në garën brenda llojit, për kandidatin presidencial, e cila u fitua nga Hollande. Pas kësaj, Manuel Vals i doli në krah Hollande dhe drejtoi fushatën e tij presidenciale.

Top Channel