Një tjetër shqiptar në muzikën italiane

30/03/2014 00:00

Sapo ka dalë në treg disku i parë i Admir Bonjakaj, që në art njihet me emrin Addi, e që prej dhjetë vjetësh jeton me familjen në Arona, në veri të Italisë.

Titulli i albumit të tij, që në shqip do ishte “jetë dhe dashuri”, tanimë ka nisur të qarkullojë jo vetëm në revistat dhe gazetat e specializuara të muzikës, por edhe në shtypin e përditshëm.

22-vjeçari shqiptar, me origjinë nga Vlora, rrëfen se shtysa e parë, për të shkruar dhe mbi të gjitha për të kënduar, i ka ardhur në moshën 13-vjeçare, pasi ka parë filmin e Rapper-it Eminem.

Addi krijon pa ndalur muzikë dhe tekste, duke u frymëzuar nga jeta e përditshme, pa harruar origjinën e tij, sakrificat e prindërve, në të cilat sheh ato të të gjithë emigrantëve.

Videoklipet e këngëve të tij flasin qartë, ashtu si dhe tekstet. Na tregon se, ndryshe nga ç’ndodh me Rapper-ët e tjerë që flasin mbi muzikë, ai këndon gati përherë duke improvizuar.

Me dëshirën jo vetëm për të transmetuar përjetimet e tij e për t’u shprehur, por edhe për të mbërritur sa më drejtpërdrejtë e këndshëm te dëgjuesi.

Top Channel