Kerry-Lavrov takohen në Paris

30/03/2014 00:00

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka përcaktuar kërkesat për një Ukrainë neutrale dhe federale, përpara bisedimeve mbi krizën ruso-ukrainase me homologun e tij amerikan, John Kerry, në Paris.

Takimi i mbrëmjes së të dielës me Kerry-n u arrit pas telefonatës së bërë nga presidenti rus Putin me atë amerikan, Barack Obama, të premten.

Rusia ka aneksuar Krimenë, ndërkohë që ka raportime se mijëra trupa ushtarake ruse janë vendosur pranë kufirit lindor të Ukrainës. Ukraina, nga ana e saj, denoncoi deklaratat e Lavrov si një kërkesë për “kapitullim total”.

Lavrov ka përjashtuar kategorikisht ndonjë plan për invazion të mëtejshëm në Ukrainë. Por, ai theksoi se Moska do të mbrojë të drejtat e rusëve etnikë dhe rusisht-folësit, pas protestave pro-europiane në Kiev, që çuan në rrëzimin e ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Ai u përball me disa muaj protestash, pasi refuzoi të nënshkruante një marrëveshje bashkëpunimi tregtar dhe atë të MSA-së me Brukselin.

Disa orë para se bisedimet në Paris të fillojnë, në rezidencën e ambasadorit rus, Lavrov tha në një konferencë për shtyp në televizionin rus se Ukraina duhet të hartojë një Kushtetutë të re, “për të siguruar një strukturë federale” dhe neutralitetin.

Avioni i Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, që po kthehej nga Lindja e Mesme, iu drejtua Parisit, ku shefi i diplomacisë së Shteteve të Bashkuara do të bisedojë në mbrëmje me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Vendimi u mor pas bisedës telefonike mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij amerikan, Barack Obama, të premten në mbrëmje. Shefi i Shtëpisë së Bardhë i bëri thirrje Rusisë të tërheqe trupat nga kufiri me Ukrainën.

Sergei Lavrov i tha televizionit rus “Rossiya 1” të shtunën, se Moska nuk ka qëllime për të dërguar trupa në Ukrainë. “Në mënyrë absolute nuk kemi asnjë qëllim apo interes për të kaluar kufirin e Ukrainës”.

Dhjetra mijëra ushtarë rusë ndodhen pranë kufirit lindor me Ukrainën. Lavrov shtoi se “Rusia është e gatshme të mbrojë të drejtat e rusëve dhe rusishtfolësve në Ukrainë, duke përdorur mjete të vlefshme politike, diplomatike dhe ligjore”.

Pas intervistës, Lavrov bisedoi në telefon me Kerry-n, që sipas zyrtarëve rusë kishte nisur nga amerikanët.

Ndërkohë, raportohet për festime në kryeqendrën e Krimesë, Simferopol, të shtunën në mbrëmje, me avancimin dy orë të orës lokale, duke e përshtatur me atë të Moskës.

Në Ukrainë, një prej figurave qendrore të opozitës, i konsideruar si kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale, Vitali Klitschko, vendosi të tërhiqej nga gara, e parashikuar më 25 Maj. Ai mbështeti publikisht miliarderin Petro Poroshenko. Në garë është edhe ish-kryeministrja Julia Timoshenko, e liruar nga burgu muajin e kaluar.

Top Channel