Një musical për Karol Wojtyla

29/03/2014 00:00

Një opera tip muscial dedikuar Karol Wojtyla, njeriu i ardhur nga
Polonia dhe i kthyer në ikonën aq të dashur dhe të adhuruar në të gjithë
botën, me emrin Papa Gjon Pali II.

“Karol Wojtyla, historia e vërtetë” do të shfaqet për herë të parë në Teatrin Slowacki të Krakovës më 2 prill dhe më pas do të vijojë turin në metropolet e tjera të Evropës.

Shfaqja përshkon jetën e jashtëzakonshme të një njeriu dhe një ati të shenjtë që ka lënë gjurmë në misionin e tij fetar në të gjithë botën. Skenari i saj përbëhet nga shkrirja e stileve të ndryshme të katër autorëve italianë.

Ndërsa muzika, origjinale dhe e papublikuar më parë, përbëhet nga 34 këngë që tregojnë emocione të forta dhe ndjesi, të cilat sipas producentëve do të prekin të gjithë shikuesit.

Në 120 minuta të ndara në dy akte, tregimi skenik do të ndërthuret në dy plane: atë real dhe atë virtual, për të bërë në të njëjtën kohë një introspektivë të jetës së Karol.

Musical-i është një vazhdim shfaqjesh të mëparshme tip ‘flashback’, në të cilat janë vënë në skenë pjesë nga jeta e atit të shenjtë që tregojnë: vogëlushin Lolek, siç thirrej kur ishte i vogël, të ëmën e tij aq shumë të dashur, Emilia, vëllain heroik Edmund dhe babain aq të përkushtuar, Karol.

Gjithashtu, nuk mungojnë adoleshenca e tij, miqësitë, ndjenjat, studimet, pasioni për teatrin dhe poezinë dhe dashuria për natyrën dhe sportin.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel