Obama takon Papën

27/03/2014 00:00

Është dita e presidentit Barak Obama sot në kryeqytetin italian, ku ai mbërriti mbrëmjen e së mërkurës. Në program së pari vizita me Papa Franceskun, të cilin ai e takon për herë të parë.

Më pas, një takim e drekë me presidentin e Republikës italiane, Giorgio Napolitano, e kryeministrin Matteo Renzi.

Presidenti Obama, i cili ka ardhur në Romë pa zonjën e parë, do të bëjë pasdite një vizitë si turist në Kolose, i cili do të jetë sot i mbyllur për publikun.

Kryeqyteti ka ditë që përgatitet për këtë vizitë, kryesisht përsa i përket masave të sigurisë. Janë mbyllur rrugë e kontrolluar pjesë të lumit Tevere, nëpër çatitë e disa pallateve janë vendosur snajperë të zgjedhur, është mbyllur hapësira ajrore dhe janë vulosur me plumb pusetat në të gjitha rrugët ku do të kalojë autokolona presidenciale prej 26 automjetesh.  

Gjithsesi, limuzina e presidentit mund të zgjedhë edhe në çastin e fundit itinerarin. Italia kë vënë në dispozicion rreth një mijë forca të rendit të cilat do të bashkëpunojnë me palën amerikane.

Bëhet e ditur se kontrollet e shërbimeve amerikane janë shtrirë edhe në ushqimin e presidentit dhe në sendet e tjera që përdor si sapunët, që janë sjellë nga Shtetet e Bashkuara.

Top Channel