Likuidimi i borxheve biznesit

27/03/2014 00:00

Qeveria ka vendosur të përshpejtojë pagesat e detyrimeve të prapambetura
ndaj biznesit. Zëvendësministri i Financave Erjon Luci thotë se synimi
është që e gjithë shuma e programuar për këtë vit, prej 350 milionë
dollarësh të paguhet brenda gjashtëmujorit të parë.

“Brenda sigurisë që duhet mbajtur për këto pagesa do mundohemi t’i përshpejmë sa më shumë. Një synim është që t’i mbyllim këto pagesa brenda qershorit. Eshtë një synim ambicioz megjithatë nuk është i pamundur”, thotë Erjon Luci, zëvendësministër i Financave.

Ministria e Financave shpreson se injektimi i shpejtë i parave në treg do të nxisë rritjen ekonomike duke i lënë më shumë kohë stimulit të veprojë. Por pagesa e plotë brenda tre muajve kërkon që Qeveria të ketë fonde të disponueshme.

“Në bazë të kalendarit, ne mund t’i kemi një pjesë të madhe të financimeve nga Banka Botërore dhe nga FMN-ja, por edhe tregi i brendshëm, brenda një periudhe relativisht të shkurtër qershor-korrik, një pjesë e madhe e këtyre financimeve mund të vijë, të cilat do të bëjnë të disponueshme për procesimin e pagesave të detyrimeve të prapambetura”, tha Luci.

Shlyerja e borxheve të prapambetura që shteti u ka kompanive private nisi në gjysëm e dytë të këtij muaji.  

“Kanë filluar grupet, sic u bë e ditur, ku u nxorrën listat e investimeve dhe të rimbursimit të TVSH-së, në të cilat janë paguar deri më sot rreth 3 miliardë lekë. Shumica e pagesave janë te grupi i TVSH-së sepse ka një informacion më të plotë për vitet e hershme, por pritet që edhe grupi i investimeve të fillojë të disbursohet më shpejt në javët e ardhshme”, tha Luci.

Në total borxhet e prapambetura të buxhetit ndaj privatëve llogariten në 726 milionë dollarë dhe Qeveria ka programuar t’i shlyejë për një periudhë 3-vjeçare.    

 

Top Channel