Historia e dashurisë Hollande-Gayet

27/03/2014 00:00

Nga përpjekja për ta zgjidhur ligjërisht shkeljen e privatësisë, ka dalë e fituar aktorja 41-vjeçare franceze, Julie Gayet, së cilës “Closer” duhet t’i paguajë 15,000 euro, pas publikimit të lajmit të bujshëm të marrëdhënies së saj me shefin e Elizesë, Francois Hollande.

Revista botoi në muajin Janar fotografi të Hollande me zonjushën Gayet, që mbërrinin njëri pas tjetrit në apartamentin, ku, siç u tha më vonë, takoheshin fshehurazi prej muajsh.

Fitorja e Gayet është më tepër morale; shuma e kërkuar prej saj si dëmshpërblim ishte 50,000 euro, mjaft më e madhe nga sa përcaktoi gjykata.

“Closer”-it iu kërkua gjithashtu të botojë vendimin në faqen e parë të numrit të saj të ardhshëm. Publikimi i fotove të tradhtisë së presidentit francez, më 10 Janar, shkaktoi një furtunë të vërtet politike në vend, e i dha fund lidhjes së tij me partneren Valerie Trierweiller.

Gjatë seancave gjyqësore, avokati i aktores tregoi se si ajo është mësyrë nga gazetarët, sikur të ishte një kafshë e egër, që ndiqet nga gjahtari.

Mbrojtja e “Closer”-it argumentoi nga ana tjetër se revista ishte e justifikuar me veprimin e saj, duke qenë se fotot ishin në interes të publikut, përderisa vinin në pikëpyetje “transparencën” e presidentit.

Top Channel