Samiti i sigurisë bërthamore

26/03/2014 00:00

35 nga 53 vendet pjesëmarrëse, në samitin e Sigurise Bërthamorë, u angazhuan t’i shndërrojnë udhezimet ndërkombëtare në ligje të brendshme.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Japonia ishin në mesin e vendeve të pajtuara me marrëveshjen për armët atomike; por fuqitë e mëdha bërthamore si Rusia, Kina, India dhe Pakistani zgjodhën të mos i bashkohen iniciativës.

Një prej qëllimeve kryesore të paktit të arritur në Holandë është të ndalohet rënia e materialit nuklear në duart e terroristëve. Mikpritësi i samitit, të parë për armët berthamore, u bë Barack Obama në Uashington në 2010-n, një vit pasi e kish shpallur terrorizmin nuklear “si njërin prej kërcënimeve më të mëdha që i kanoset sigurisë botërore”.

Në deklaratën e lëshuar në Hagë, thuhet se vendet firmëtare kanë pranuar t’u lejojnë ekspertëve të pavarur vlerësimin e procedurave të tyre për materialet atomike, ndërsa zotohen t’i mbajnë ato në nivele sa më të ulta që të jetë e mundur.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk mori pjesë në samitin dy ditor, por në vend të tij dërgoi ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov.  Në komentet e bëra në mbyllje të takimit, Obama theksoi se 12 shtete dhe të paktën dy duzina kompleksesh berthamore në mbarë botën tanimë janë çliruar nga uraniumi i pasuruar dhe poloniumi.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk ngurroi të lavdëronte vendimin e marrë nga Kievi vite më parë, për të hequr dorë  vullnetarisht nga materialet bërthamore. Po të mos kishte ndodhur një gjë e tillë, – tha presidenti amerikan, – ato armë do të ishin akoma atje dhe situata e Ukrainës, sot do të përbënte një shqetësim të një niveli krejt tjetër.

Top Channel