Mafia më e pasur në botë

26/03/2014 00:00

Mafia kalabreze, e njohur ndryshe si Ndrangeta, rezulton ndër më të pasurat, në mos më e pasura, në botë përsa u përket të ardhurave që vijnë nga aktivitetet kriminale.

Sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, organizata ka një xhiro të ardhurash prej 53 miliardë eurosh, një ushtri prej rreth 60 mijë anëtarësh dhe rreth 400 familje mafioze që operojnë në 30 vende të botës.

Pushteti i plotfuqishëm ekonomik i mafias kalabreze konfirmohet nga instituti Demoskopika, sipas të cilit të ardhurat janë të barazvlefshme me 3.5 për qind të GDP-së së Italisë, ose sa të ardhurat e kolosëve Deutsche Bank dhe McDonald’s të marra së bashku.

Sipas studimit, pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga: trafiku ndërkombëtar i drogës, që arrin deri në 24 miliardë euro; pastrimi i parave që u sjell klaneve një fitim prej 20 miliardë euro; zhvatjet dhe fajdet që sjellin rreth 3 miliardë euro; kontratat e tenderave publikë 2.4 miliardë euro; lojrat e fatit 1.3 miliardë euro.

Ndërkohë, më pak të ardhura sjellin aktivitetet e tjera kriminale si: trafiku i armëve, 700 milionë euro; i mbeturinave të paligjshme 670 milionë euro; prostitucioni 370 milionë euro; falsifikimet 330 milionë euro dhe emigracioni klandestin 130 milionë euro.

Ka njeri që mund t’u thotë “jo” gjithë këtyre parave?

Top Channel