
Komandanti i ushtrisë egjiptiane, marshalli Abdul Fattah al Sisi ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga ky post në mënyrë që të garojë për presidencën.
Marshalli Al Sisi, i cili çoi në rrëzimin e presidentit Mohammed Morsi në korrik pas protestave masive të opozitës, bëri kështu njoftimin e shumëpritur në një fajlim televiziv.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se ka gjasa që ai t’i fitojë zgjedhjet, për shkak të popullaritetit dhe mungesës së rivalëve seriozë.
Më herët gjatë muajit, kompandanti u citua nga mediat të thoshte se, “nuk mund t’i kthente shpinën thirrjeve të shumicës së egjiptianëve”, që kërkonin kandidimin e tij për president.
Disa dhjetëra mijëra mbështetës, të cilët e shohin ushtarakun si personin e duhur për të stabilizuar Egjiptin, kanë mbushur rrugët për t’i kërkuar atij pjesëmarrjen në garë.
Ndërsa kundërshtarët e tij politikë e konsiderojnë atë përgjegjës për atë që grupet e të drejtave të njeriut cilësojnë si “abuzime masive” dhe druhen se ai synon t’i rikthehet autoritarizmit, tre vjet pas rrëzimit të Hosni Mubarak.
Procesi i emërimit për garën presidenciale pritet të shpallet ditën e diel dhe më pas nuk do të mund të bëhet më asnjë ndryshim.
Top Channel