Korea e Veriut teston raketa balistike

26/03/2014 00:00

Korea e Veriut ka testuar dy raketa balistike me rreze të mesme, vetëm pak orë pasi Shtetet e Bashkuara, Korea e Jugut dhe Japonia u takuan në Holandë për bisedime.

Ky është lëshimi i parë i një rakete Nodong, që prej 2009-s, si dhe shënon një avancim nga raketat me rreze të shkurtër veprimi që Peniani ka lëshuar gjatë javëve të fundit.

Testimet erdhën gjithashtu në përvjetorin e 4-t të mbytjes së një anije luftarake koreano-jugore. Uashingtoni dhe Seuli e kanë dënuar këtë veprim, që shkel rezolutat e OKB-së.

Departamenti amerikan i Shtetit e përshkroi testimin si një “shqetësim dhe përshkallëzim provokues”. “I bëjmë thirrje Koresë së Veriut të testojë e të stërvitet me vetëpërmbajtje, duke qendruar larg veprimeve të mëtejshme kërcënuese”, tha zëvendës/zëdhënësja Marie Harf, në një deklaratë.

Ministria koreano-jugore e Mbrojtjes tha se raketat u lëshuan nga rajoni Suckon në veri të Penianit dhe lufturuan për mbi 650 km, përpara se të binin në det, në lindje të brigjeve detare të gadishullit korean.

“Kjo raketë është e aftë të godasë jo vetëm pjesën më të madhe të Japonisë, por edhe Rusinë apo Kinën”, tha zëdhënësi i Ministrisë, Kim Min-seok. Ministria e Mbrojtjes e përshkroi atë si një “provokim të rëndë”.

Në javët e fundit, Korea e Veriut ka lëshuar disa raketa me rreze të ulët, veprime që kanë koinciduar me stërvitjet ushtarake të përvitshme mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut. Por, ky është i pari testim i një rakete Nodong, që ka një rreze veprimi prej rreth 1000 km, që prej vitit 2009. Një lëshim i ngjashëm ndodhi gjithashtu edhe në 2006-n.

Lëshimet e raketave balistike nga Peniani janë të ndaluara nga Kombet e Bashkuara. Sipas korrespondentëve të mediave të huaja, arsenali i tërë i raketave Nodong në Korenë e Veriut mund të jetë teorikisht i krahasueshëm me një mbushje bërthamore, por mendohet se Penianit i mungon eksperienca për të vepruar me të tilla armë.

Top Channel