Gjenden pjesë të avionit malajzian

26/03/2014 00:00

Ministri malajzian i Transportit, Hishamudin Husein tha se janë zbuluar 122 objekte që ndoshta i përkasin avionit të humbur, të shpërndarë në një zonë prej 400 km katrorë, që ndodhet 2.557 km mes Perthit dhe Australisë përendimore.

Pamjet satelitore iu dorëzuan Malajzise nga grupi “Airbus” i Mbrojtjes dhe Hapësirës, me qendër në Francë, më 25 mars. Ato tregojnë pjesë deri në 23 metra të gjata.

Avioni i kompanisë ajrore “Malaysia Airlines” me 239 pasagjerë në bord u zhduk më 8 mars, ndërsa udhëtonte nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit.

Ministri malajzian i Transportit tha se nuk është e mundur të thuhet nëse objektet i përkasin avionit të humbur, por i cilësoi ato një “udhërrëfyes të ri që do të ndihmojë në drejtimin e operacioneve të kërkimit”.

Të gjitha fotografitë i janë dorëzuar të martën Qendrës Australiane të Shpëtimit dhe Koordinimit në Perth. Është grupi i katërt i fotove satelitore që tregon praninë e objekteve në pjesën jugore të Oqeanit Indian.

Deri tani nuk ka qenë e mundur të merret asnjë prej tyre në zonën ku po kërkohet, e ndarë tashmë në dy pjesë: atë lindore dhe perëndimore. Ministri i Transporteve tha se “Malaysia Airlines” ndërmori hapat e saj për të komunikuar me familjarët dhe të afërmit e pasagjerëve.

Autoriteti Australian për Sigurinë Detare, që po koordinon kërkimet, tha të mërkurën se fluturimet kanë nisur dhe kushtet janë përmirësuar, pas pezullimit të operacionit si pasojë e motit të keq.

Shtatë avionë ushtarakë dhe civilë janë pjesë e operacioneve të kërkimit, ku janë përfshirë gjashtë vende: Australia, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kina dhe Korea e Jugut. Nëse konfirmohet se objektet e gjetura i përkasin avionit, atëherë zona e kërkimit do të ngushtohet më tej.

Megjithatë, ekspertët thonë se sinjalizuesit e vendndodhjes së avionit, që mund të ndihmojnë anijet për ta gjetur, mund t’u ketë mbetur më pak se dy javë bateri. Në zonë janë dërguar anije me të gjitha pajisjet e nevojshme për t’i lokalizuar.

Top Channel