Tajlandë, autobusi në humnerë, 30 viktima

25/03/2014 00:00

Një autobus është aksidentuar në veri të Tajlandës, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen 30 persona, ndërsa 22 të tjerë janë plagosur.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet tajlandeze, sipas të cilave aksidenti fatal ndodhi në provincën e Takut, gjatë orëve të natës.

Policia tajlandeze deklaroi se autobusi po përpiqej të parakalonte disa makina teksa po udhëtonte në një rrigë malore, kur papritur rrëshqiti dhe përfundoi në greminë.

Autobusi po transportonte zyrtarë të qeverisë vendore që kishin qenë në një udhëtim pune. Por mes viktimave rezulton se është edhe një fëmijë.

Shoferi i autobusit, që i mbijetoi aksidentit vetëm me një brinjë të thyer, deklaroi se frenat e automjetit nuk po funksiononin më.

Rruga ku ndodhi aksidenti është shpesh herë e frekuentuar nga autobusë ose kamionë që udhëtojnë përtej kufirit tajlandez me Mianmarin, vend që deri pak kohë më parë njihej si Birmania.

“Aksidentet janë të shpeshta në këtë rrugë. Ne kemi vendosur tabela paralajmëruese për udhëtarët, por aksidentet vazhdojnë të ndodhin”, deklaroi guvernatori i provincës për agjencinë e lajmeve “Associated Press”.

Aksidentet rrugore janë të zakonshme në Tajlandë, për shkak të infrastrukturës së dobët, mungesës së standardeve të sigurisë dhe trafikut të dendur.

Në shkurt, 15 persona humbën jetën pasi një autobus që po udhëtonte në qytetin bregdetar të Patajas u përplas me një kamion. Ndërsa në një aksident tjetër, 29 vetë humbën jetën pasi autobusi me të cilin po udhëtonin doli nga urë në një provincë veriore.

Top Channel