NSA, gati reforma e Obamës

25/03/2014 00:00

Administrata Obama po përgatitet të prezantojë reformën për Agjencinë e
Sigurisë Kombëtare, NSA, që mes të tjerash parashikon që agjencia të mos
ruajë më të dhënat telefonike.

Të dhënat në fjalë do të mbeten në duart e operatorëve dhe do të mund të merren në mënyrë individuale nga Gjykata e Mbikëqyrjes së Shërbimeve të Jashtme.

Të dhënat telefonike do të mund të mblidhen vetëm me autorizimin e gjykatësit, i cili do të duhet të bindet se numri i telefonit i përket një personi të lidhur me terrorizmin.

Me pak fjalë, qeveria amerikane nuk do të mbledhë dhe nuk do të kontrollojë më sistematikisht të dhënat telefonike, që në bazë të normave aktuale janë në duart e NSA-së prej pesë vjetësh.

Me urdhër të gjykatës, kompanitë telefonike do duhet t’i japin të dhënat në një format teknologjikisht të përshtatshëm, që konsiston në telefonatat e kryera nga abonenti apo ato të marra nga ai.

Propozimi i administratës përfshin edhe një klauzolë që sqaron se Seksioni 215 i Patriot Act në të ardhmen mund të interpretohet ligjërisht për të mundësuar apo jo mbledhjen e një sasie të madhe të dhënash telefonike.

Gazeta “New York Times” raporton gjithashtu se në propozimin e administratës do të kërkohet zgjatja e programit aktual të monitorimit për 90 ditë. Pas kësaj, sipas planit të hartuar nga vetë administrata, programi do të pësojë ndryshime rrënjësore.

Top Channel