Avioni, stuhitë vonojnë kërkimet, ditë pushimi

25/03/2014 00:00

Për familjarët, njerëzit më të dashur të të cilëve ndodheshin në bordin e avionit të zhdukur të “Malaysia Airlines”, dita e kaluar ka qenë e tejmbushur me lajme për të cilat druheshin me kohë.

Fillimisht, kryeministri malajzian me fytyrë të zymtë konfirmoi frikën e tyre më të keqe, duke njoftuar se “Fluturimi 370” ishte rrëzuar diku në Oqeanin Indian.

Më pas, edhe pse hetuesit dukeshin shumë pranë vendndodhjes për të gjetur aeroplanin, moti me stuhi detyroi autoritetet australiane të ndalnin për 1 ditë kërkimet për “Boeing 777”.

“Është një ndjenjë sikur na kaloi një rul në miniaturë mbi trup përgjatë ditës”, tha James Ëood, vëllai Philip i të cilit ishte një nga 3 pasagjerët amerikanë në aeroplanin e zhdukur. Familjet janë të goditura dhe janë ende “në sallën e pritjes”, tha ai për CNN.

“Thjesht jemi duke pritur, – tha ai, – dhe nuk po marrim përgjigje nga njëra palë apo tjetra”. Ata do të duhet të presin të paktën edhe 1 ditë, pasi erërat e fuqishme, dallgët e larta, reshjet e dendura dhe parashikimet për re tepër të ulta në zonë “mund të përbëjnë një rrezik edhe më të madh për aktivitetet kërkimore nga deti apo ajri, duke ekspozuar më tepër risqe ndaj ekuipazheve”, tha Autoriteti i Sigurisë Detare të Australisë, ditën e martë. Ekipet do të rifillojnë kërkimet të mërkurën, nëse moti do t’ua lejojë, thanë zyrtarët.

Kur të nisin sërish kërkimet, ata do të duhet të “krehin” sërish zonën në jug të Oqeanit Indian, ku zyrtarët thanë se besojnë të ketë përfunduar avioni. Analizat e reja të të dhënave satelitore nga një kompani britanike satelitore, si dhe hetues të aksidentit, çuan në këtë konkluzion, tha kryeministri Najib Razak, ditën e hënë.

“Ata na thanë se të gjithë jetët kanë humbur”, tha një i afërm i një pasagjeri të humbur, i njoftuar shkurtimisht nga kompania, në Pekin.

“Malaysia Airlines” u dërgoi gjithashtu mesazhe SMS të afërmve të tjerë, ku thuhej se “duhet të pranojmë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se MH370 ka humbur dhe askush në bord nuk ka mbijetuar”.

Top Channel