SHBA shtojnë përpjekjet për Joseph Kony

24/03/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë avionë ushtarakë dhe forca speciale shtesë për të kërkuar udhëheqësin rebel të Ugandës, Joseph Kony.

Të paktën katër avionë CV-22 “Osprey”, si dhe 150 trupa speciale do të zbarkojnë këtë javë në Ugandë. Joseph Kony kërkohet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, e cila e akuzon për krime lufte.

Ai drejton Ushtrinë e Qendresës së Zotit, pjesëtarët e të cilës janë të njohur për rrëmbimin e fëmijeve. Ata i detyrojnë djemtë në moshë të vogël të bëhen ushtarë, ndërsa vajzat i shndërrojnë në sllave seksi.

Djemtë detyrohen të ekzekutojnë prindërit e tyre, kështu që mendojnë se nuk mund të kthehen më në shtëpi dhe i përkushtohen njësisë guerrilase.

Grupi u shfaq fillimisht në Ugandë në vitet 1980, por tani anëtarët e tij i gjen mes Republikës së Afrikës Qendrore, Sudanit Jugor dhe Republikës Demokratike të Kongos. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 5 milionë dollarë për çdo informacion që do të çojë në arrestimin e tij.

Trupat amerikane do të vendosen në Uganda, por do të përdoren edhe në vende të tjera ku Ushtria e Rezistencës së Zotit është e pranishme, deklaruan zyrtarët amerikanë.

Forcat e Unionit Afrikan do të jenë ato që do të qëndrojnë në krye të operacioneve, ndërsa ato amerikane do të kenë rol këshillues.

Avionët CV-22 “Ospreys” mund të ulen në tokë dhe të ngrihen në ajër vertikalisht si një helikopter, por mund të fluturojnë si avionë dhe më gjatë e më shpejt se helikopterët.

Top Channel