SHBA, rrëshqitja e dheut, 108 të zhdukur

24/03/2014 00:00

Rritet bilanci i viktimave si pasojë e rrëshqitjeve të dheut në Uashington, në veri-perendim të Shteteve të Bashkuara. Janë të paktën 8 personat që kanë humbur jetën, ndërsa 108 ata që rezultojnë të humbur.

Zëdhënësi i departamentit të zjarrfikësve tha se ekipet e shpëtimit nuk kanë dalluar shenja jete nga grumbullimi i dheut që mbulon një sipërfaqe prej 2.6 kilometrash katrorë, por do të vazhdojnë operacionet gjatë së hënës.

Masa e baltës, pemët, gurët dhe mbetjet rrëshqitën nga një shpat mali në një zonë rurale pranë qytetit të Siatëllit, duke shkatërruar 30 shtëpi dhe plagosur fillimisht tetë vetë. Zyrtarët lokalë thanë se shkak u bënë shirat e dendura të ditëve të fundit, që çuan në rrëshqitjen masive.

Rrëshqitja bllokoi krejtësisht një rrugë pranë qytezës Oso, 90 kilometra në veri të Siatëllit. Një pjesë e viktimave u vranë në vend, ndërsa të tjerë ndërruan jetë në spital. Mes të plagosurve është edhe një foshnje 6-muajshe.

Ekspertët paralajmërojnë për të tjera reshje të forta në disa pjesë të Uashingtonit, ku banorët janë këshilluar të lëvizin në rajone të larta. Rrëshqitja e dheut ka bllokuar edhe rrjedhën e një lumi në zonë, duke i shtuar problemit të baltës dhe rrezikun e përmbytjeve.

Top Channel