Francë, rritje shqetësuese e ekstremistëve

24/03/2014 00:00

Rritja e mbështetjes ndaj të djathtës ekstreme në Francë në zgjedhjet vendore të mbajtura përgjatë kësaj fundjave ka shqetësuar socialistët e presidentit Francois Hollande.

Fronti Kombëtar i Marine Le Pen u rëndit si parti e parë në disa komuna të rëndësishme në veri dhe në jug të Francës. Në total, numri i votave për partinë ekstremiste shkon në 5 përqind, shifër kjo që duket e ulët në krahasim më dy partitë tradicionale franceze, por shqetësuese po të kihet parasysh rritja e madhe e partisë së Le Pen.

Programi i nacionalistëve francezë është euroskeptik, kërkon një linjë të ashpër ndaj emigracionit dhe politika kundër Bashkimit Europian.

Fronti Kombëtar fitoi në shumicë dërrmuese në Henin-Beaumont, një qytezë minatorësh në veri të vendit. Po ashtu edhe në jug në disa komuna u rëndit e dyta, përfshirë këtu edhe Marsejën.

Kryeministri francez, Jean-Marc Ayrault u bëri thirrje votuesve që të votojnë për kandidatin më të mirë të partive të tjera, vetëm atë të Frontit Kombëtar jo.

Numërimi ende nuk ka përfunduar, ndërkohë që shumë komuna pritet të shkojnë në balotazh. Për të ndalur Frontin Kombëtar, socialistët e presidentit Hollande njoftuan bashkimin e forcave me Partinë e Gjelbërt dhe me atë Komuniste në raundin e dytë. Agjencia e lajmeve AFP njofton se tre partitë do të dalin në zgjedhje me lista të përbashkëta kandidatësh.

Në rang kombëtar, qëndra e djathtë, UMP ka marrë 47 përqind të votave, ndjekur nga socialistët me 38 përqind dhe ekstremistët e djathtë të Frontit Kombëtar të Le Pen me 5 përqind.

Në Paris kandidatja e së majtës, Anne Hidalgo pritet të fitojë me një grusht votash përballë rivales së qendrës së djathtë, Nathalie Kosciusko-Morizet.

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se vota për ekstremistët e djathtë është e lartë po të kihet parasysh që kjo parti regjistroi kandidatë vetëm në 600 njësi vendore, nga 36 mijë që janë në total. Korrespondenti i BBC thotë se pavarësisht rezultatit të raundit të parë, në balotazh, Fronti Kombëtar ka pak gjasa që të fitojë kontrollin e ndonjë komune, por rritja është domethënëse dhe shqetësuese për të ardhmen e Bashkimit Europian.

Sondazhet tregojnë një kurbë në rritje për Marine Le Pen dhe partinë e saj, që në zgjedhjet për Parlamentin Europian pritet të marrë një rezultat të mirë.

Ky ishte testi i parë i presidentit francez, Francois Hollande, popullariteti i të cilit ka rënë ndjeshëm kur s’ka mbushur ende dy vite në detyrë. Francezët votojnë për të zgjedhur këshilltarët dhe krerët e komunave në fshatra, qyteza dhe qytete.

Top Channel