Avioni u rrëzua në Oqeanin Indian

24/03/2014 00:00

Kryeministri i Malajzisë, Najib Razak deklaroi të hënën “me keqardhje të
thellë” se avioni me numër fluturimi “MH370” i “Malaysia Airlines” është rrëzuar në jug të Oqeanit Indian.

Deklarata e tij bazohej në informacionet e ofruara nga kompania
satelitore britanike “Inmarsat” dhe Zyra britanike e Hetimit të
Aksidenteve, AAIB. Zoti Razak bëri me dije se më shumë informacione për
kërkimin e avionit do të publikohen të martën.

“Të dhënat e fundit kanë treguar se avioni po fluturonte në korridorin jugor dhe se pozicioni i tij i fundit ishte në mes të Oqeanit Indian, në perëndim të Perthit”, deklaroi kryeministri.

Gazetarët ishin mbledhur në dhomën e konferencës së shtypit të zyrës së
kryeministrit, duke pritur me ankth të dhënat që do të jepte ai. Fluturimi “MH370” i “Malaysia Airlines”, me 239 persona në bord, u zhduk
pasi ishte nisur nga aeroporti i Kuala Lumpurit më 8 mars, me destinacion Pekinin.

Kompania ajrore “Malaysia Airlines” deklaroi gjithashtu të hënën se është me
vend të supozohet, “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, se avioni i
rrëzuar më herët gjatë muajit ka humbur dhe nuk ka të mbijetuar.

Njoftimi është bërë në formën e një mesazhi telefonik, SMS, që u është dërguar nga kompania familjarëve të viktimave të avionit të zhdukur. Ai erdhi gjithashtu pas ditës së pestë të operacioneve të kërkimit, të fokusuara në jug të Oqeanit Indian, të cilat nuk sollën rezultat.

Me trishtim të thellë ju njoftojmë se kemi arsye të besojmë se avioni ka humbur dhe se asnjë nga personat në bord nuk ka mbijetuar. Sikurse do ta dëgjoni në orët e mëvonshme nga kryeministri, neve na duhet të pranojmë provat që sugjerojnë se avioni u rrëzua në jug të Oqeanit Indian”, thuhet në SMS-në që kompania u dërgoi familjeve të viktimave.

Top Channel