Verhofstadt: Moska po qesh me Europën

23/03/2014 00:00

Ish-kryeministri belg, Guy Verhofstadt, i konsideron tepër të buta sanksionet e Bashkimit Europian për Rusinë.

Moska është “duke qeshur” me listën e 21 personave, të cilëve u ndalohet hyrja në BE, thotë ai. Nuk duhet ta nënvlerësojmë Putin dhe dëshirat e tij, ashtu siç nuk duhet të nënvlerësojmë mundësitë e Bashkimit Europian për masa shumë më të forta.

Në këndvështrimin e politikanit belg, unioni nuk ishte i përgatitur të përballej me një situatë të tillë, ndaj dhe sanksionet e marra nuk kanë qenë të atij niveli, sa ta godisnin shumë fort Kremlinin.

“Prej bllokut pritet marrja e masave konkrete ekonomike, por ka shumë gjasa, që vendet anëtare të mos bien të gjitha dakord me një hap të tillë. Britanikët do të thonë ‘sanksionet janë të mira, por të mos preken shërbimet financiare’, francezët do të thonë ‘po sanksioneve, por jo sa i përket armatimeve’, ndërsa gjermanët, me siguri, nuk do të duan të vendosin sanksione ndaj gazit. Prandaj, në pikëpamjen time, mënyra më e mirë është të arrihet një kompromis. Ne duhet të jemi dakord për të vendosur sanksione mbi personat e rëndësishëm në Kremlin, ata që janë më afër Putin. Të ngrijmë investimet e tyre në Perëndim”, thekson Verhofstadt për “Deutsche Welle”, duke shtuar se paralelisht me këtë presion, BE duhet të fokusohet te ndihma për Ukrainën.

Qeveria e përkohshme në Kiev, në përbërje të saj ka edhe elementë të ekstremit të djathtë dhe, një gjë e tillë, nuk shihet me sy të mirë nga disa politikanë europianë. Për ish-kryeministrin belg, kjo është vetëm një qeveri e përkohshme dhe tani i takon popullit ukrainas të përzgjedhë në zgjedhjet e 25 Majit partinë që dëshiron.

Top Channel