Ukrainë, demonstrata pro-ruse

23/03/2014 00:00

Demonstrata pro-Moskës janë planifikuar gjatë ditës në disa qytete ukrainase, ndërsa forcat ruse vazhdojnë të konsolidojnë kontrollin e tyre mbi Krimenë.

Tubimet mbështetëse për Rusinë do të mbahen në rajonet jugore dhe lindore të vendit, ku shumica e popullsisë janë rusë etnikë. Një ditë më parë, 6 autoblinda me forca speciale ruse shpërthyen portat e bazës ajrore të Bilbekut e qëlluan në ajër në shenjë paralajmërimi për të frenuar çdo përpjekje rezistence.

Edhe këtë herë uniformat ushtarake nuk kishin shenja dalluese. Pikërisht në afërsi të kësaj baze, ushtarët konfiskuan kamerat e Zërit të Amerikës. Gazetari Daniel Schearf rrëfeu se ai dhe kolegët e tij po xhironin autoblinda me personel ushtarak dhe automjete të tjera jashtë bazës, kur ushtarët dolën nga makinat e tyre e nën kërcënimin e armëve i detyruan të dorëzojne kamerat. Schearf i përshkruan ata si “shumë agresivë dhe arrogantë”, por shton se kishin marrë urdhër të mos lejonin median të filmonte ushtrine ruse para bazës.

Bilbeku ishte një nga objektet më të mëdha nën kontrollin e ushtrisë ukrainase në Krime. Ndërkohë, sipas Bloomberg, Moska ka pranuar monitoruesit ndërkombëtarë në rajon, prania e të cilëve mund të lehtësojë përshkallëzimin e konfliktit. Me përfundimin e aneksimit të Krimesë nga Rusia, frika e një acarimi të situatës mes ngërçit më të madh të marrëdhënieve ruse me Perëndimin që prej Luftës së Ftohtë, misioni vëzhgues 6-mujor synon të ulë tensionet.

“Është e rëndësishme që në botën e lirë të mos e pranojmë pushtimin e Krimesë. Do të vazhdojmë të rezistojmë e këtë herë gjërat nuk do të kthehen ashtu si më parë me regjimin e Putinit”, tha në Kiev kreu i ekzekutivit kanadez Stephen Harper, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin e përkohshëm ukrainas Arseniy Yatsenyuk.

Pasojat e këtyre veprimeve, paralajmëroi ai, do të ndihen shumë përtej kufijve  të Ukrainës. Me përfundimin e aneksimit të Krimesë kanë lindur shqetësime se Moska mund të pretendojë edhe pjesë të tjera të Ukrainës, ndaj këshilltarja për sigurinë në Shtetet e Bashkuara, Susan Rice, deklaroi një ditë më parë se Uashingtoni po i ndjek me vëmendjen më të madhe zhvillimet në kufirin me Rusinë.

Top Channel