SHBA, rrëshket toka

23/03/2014 00:00

Një rrëshqitje e papritur toke në Washingon i ka marrë jetën tre personave, e ka lënduar rëndë disa të tjerë.

Shkëputja e masivit të dheut shkatërroi 6 shtëpi e bllokoi krejtësisht një rrugë pranë qytezës Oso, 90 km në veri të Seattle-it. Dy prej viktimave u vranë në vend, ndërsa i treti ndërroi jetë në spital. Mes të plagosurve është edhe një foshnje 6-muajshe.

“Po zbrisja kodrën dhe papritur pash një hije të madhe. Kaq ishte. Gjithçka u zhduk shumë shpejt, brenda pak sekondash”, u shpreh Paulo Falcao, dëshmitar.

Ekipet e kërkim-shpëtimit mbërritën me shpejtësi në zonë, duke përfshirë edhe skuadrat e zjarrfikësve e njësi xhenierësh. Autoritetet lokale ia faturojnë reshjeve të dendura të shiut rrëshqitjen e frikshme të tokës, që përpiu çdo gjë i doli përpara e ka izoluar krejtësisht qytezën e Darringtonit.

Ekspertët paralajmërojnë për të tjera reshje të forta në disa pjesë të Washington-it, ku banorët janë këshilluar të lëvizin në rajone të larta. Rrëshqitja e dheut ka bllokuar edhe rrjedhën e një lumi në zonë, duke i shtuar problemit të baltës dhe rrezikun e përmbytjeve.

Top Channel