Londra paralajmëron Moskën

23/03/2014 00:00

Londra paralajmëron Moskën se ndodhet përballë një izolimi të madh ndërkombëtar për shkak të sjelljes ndaj Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë.

Ministri  i Jashtëm britanik, William Hague, në një shkrim të botuar në gazetën e së dielës “The Sunday Times” të Londrës shkruan se ka ardhur koha që Perëndimi të shqyrtojë një stad të ri marrëdhëniesh me Rusinë, të ndryshme nga ato që ka pasur gjatë 20 viteve të fundit.

Britania dhe aleatët europianë “nuk do të ikin të frikësuar” nga sjellja ruse në Krime, thekson Hague. “Aneksimi ilegal i Krimesë është një grabitje skandaloze toke dhe refendumi që parapriu ishte një tallje me demokracinë”, shkruan Hague në “The Sunday Times”.

“Rusia ka pushtuar një vend europian dhe ka përdorur forcën për të ndryshuar kufijtë e tij. Kemi të bëjmë me rrezikun më serioz ndaj sigurisë europiane, që kemi parë deri më tani, në shekullin e 21”, shkruan shefi i diplomacisë britanike.

Hague shtoi se përshpejtimi i diversitetit të energjisë në Europë mund të jetë pjesë e kundërpërgjigjes sonë ndaj ngjarjeve të fundit.

Në mënyrë ironike, për herë të parë, Britania do të fillojë këtë vit të importojë gaz nga Rusia në bazë të një kontrate zyrtare të nënshkruar në vitin 2012, duke mundësuar blerjen e 2,4 miliardë metër kub gaz, gjate tri viteve të ardhshme.

Rusia është furnizuesi më i madh i Europës me gaz, duke mbuluar një të tretën e nevojave të kontinentit europian.

Top Channel