Avioni i rrëzuar, të tjera pamje

23/03/2014 00:00

Pamje të reja satelitore të ofruara nga Franca tregojnë të tjera mbetje të mundshme të avionit të zhdukur të “Malaysia Airlines” në jug të Oqeanit Indian.

Bëhet fjalë për të tretin set fotosh brenda javësh, të cilat mund të lidhen me fluturimin MH370 të zhdukur më 8 Mars me 239 persona në bord. Koordinimin e kërkimeve në korridorin jugor e ka marrë në dorë Australia dhe aktualisht është duke hetuar imazhet e disa objekte të padiktuara më parë.

Edhe pse kërkimet janë përqendruar në dy korridore kryesore, asnjë prej vendeve në veri nuk kanë raportuar kontakte radari, ndaj vëmendja po përqendrohet më së shumti në jug. 8 avionë u dërguan nga Perth-i me qëllimin të shtrijnë rrezen e verifikimit, katër nga të cilët ishin avionë civilë dhe një US P8 Poseidon.

Në qytetin australian kanë mbërritur edhe dy avionë kinezë IL-76, por nuk janë ngritur ende në fluturim, ndërsa Japonia është duke dërguar edhe dy P3 Orions.

Pamjet satelitore i dhanë shpresa të reja autoriteteve, nën presionin të zbardhin misterin e avionit malajzian, por përpjekjet për lokalizimin e objekteve në ujë përbëjnë një sfidë më vete. Nëse ato arrijnë të diktohen e të konfirmohet se i përkasin Boeing-ut malajzian, më së pari do të nisë puna për kqyrjen e kujdesshme të çdo fragmenti të gjetur, sepse gjendja e tyre, për shembull ndonjë shenjë shpërthimi, do të hedhë dritë mbi atë që mundon të gjithë: çfarë ndodhi në bordin e fluturimit MH370.

Paskësaj, me shumë gjasë, do të kontrollohet zona për kutitë e zeza të avionit, apo regjistruesit të të dhënave. Për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, nga momenti i zhdukjes së mjetit më 8 Mars, një sipërmarrje e tillë nuk ka për të qenë aspak e lehtë.

“Edhe nëse pjesët konfirmohen se i përkasin avionit të zhdukur, kanë kaluar shumë ditë që prej incidentit dhe dallgët mund t’i kenë shtyrë në një distancë shumë të madhe nga vendi i rrëzimit. Po nuk përcaktuam si ka fryrë era në ato ditë e çfarë tendence kanë pasur rrymat nënujore, kërkimi i kutive të zeza ka për të qenë tepër i vështirë”, tha David Mearns, drejtues i “Blue Ëater Recoveries Ltd”.

Autoritetet malajziane deklaruan se po rezultoi që objektet e diktuara nuk i takojnë avionit të humbur, përpjekjet e kërkimit do të rikthehen përsëri në dy të ashtuquajturat korridore të një “zone masive”.

Top Channel