Krime, bien bazat ukrainase

22/03/2014 00:00

Të shtëna dhe shpërthime u dëgjuan ndërsa trupat ruse, të mbështetura nga autoblinda mësynë një bazë ajrore në Krime. Sic raportohet, një person u plagos gjatë sulmit në bazën e Belbekut, në afërsi të Sevastopolit.

Baza aktualisht është nën kontrollin rus. Në Belbek dy autoblinda rrëzuan murin e bazës, të ndjekur nga trupat ruse që qëllonin në ajër. Mësymja ndoqi ultimatumin e rusëve për t’u dorëzuar.

Më herët protestues pro-rusë sulmuan një tjetër bazë detare ukrainase të vendosur në perëndim të Gadishullit të Krimesë. Të paarmatosur ata mësynë bazën ku nuk hasën as rezistencën më të vogël nga ato pak trupa ukrainase të mbetura aty që pas vendimit të qeverisë së re në Kiev për të tërhequr nga Krimeja të gjithë personelin ushtarak dhe familjarët e tyre.

BBC thotë se tashmë baza është në kontroll të plotë të forcave ruse që i bashkohet bazave të tjera të marra nën kontroll më herët.

Kreu i bazës ushtarake në Belbek tha se ka urdhëruar atë pak personel që i kam mbetur që të qëllojë disa goditje paralajmëruese në ajër nëse sulmohen. Ai i tha BBC se prej ditësh pret një urdhër nga Kievi se çfarë duhet të bëjë, por asnjë urdhër i tillë nuk ka mbërritur.

Por në Kiev e mohojnë dicka të tillë. Shefi i Ushtrisë deklaroi se të gjitha njësitë ushtarake ukrainase në Krime u janë dhënë urdhërat e nevojshëm se si duhet të reagojnë në rast se sulmohen.

Një ditë më parë Presidenti rus, Vladimir Putin firmosi aktin përfundimtar që integron Krimenë si pjesë e territorit të Federatës Ruse, ndërsa në Bruksel, si shprehje mbështetje Bashkimi Europian nënshkroi një marrëveshje të rëndësishme me qeverinë e përkohëshme të Kievit.

Top Channel