Françesku denoncon “mafien djallëzore”

22/03/2014 00:00

Papa Francesku ka lëshuar një sulm therës ndaj mafies, duke paralajmëruar grupet e gangsterëve se ata do të shkojnë në ferr, për sa kohë që nuk pendohen dhe nuk ndalen së bëri “djallin”.

“Paratë e njollosura me gjak, pushteti i fituar me gjakderdhje, nuk mund të merren me vete në jetën e përtejme. Pendohuni!”, tha Papa, i cili ka folur në manifestim lutjesh me të afërmit e të vrarëve nga mafia.

Papa foli rregullisht për djajtë e korrupsionit dhe shkroi një broshurë mbi këtë temë në 2005-n, kur ishte një kryepeshkop i Buenos Airesit.

Takimi në Romë i së premtes, i organizuar nga një grup qytetarësh të quajtur “Libera”, synonte të demonstronte kundërshtimin e Kishës Katolike Romane ndaj krimit të organizuar, duke refuzuar lidhjet historike me bosët e mafies, që pretendohen se janë katolikë të mirë.

Manifestimi u ndoq nga ata, të cilët kanë vuajtur për shkak të ndëhyrjes së mafies, përfshi ata njerëz, familjarët e të cilëve dhe të dashurit e të cilëve janë vrarë.

Papa dëgjonte i mbytur nga mendimet e zymta, raportojnë korrespondentët, ndërkohë që lexoheshin emrat e të vrarëve.

Pasi shprehu solidaritetin me 842 pjesëmarrësit në manifestim, ai tha se nuk mund të largohet nga detyra e tij aktuale, pa iu adresuar atyre që nuk ishin pjesëmarrës: “protagonistëve” të dhunës së mafies.

“Jeta që po jetoni momentalisht nuk do t’iu japë kënaqësi. Nuk do t’iu japë gëzime apo lumturi”, tha ai. “Ka ende kohë për të mos përfunduar në ferr, një destinacioni që nuk mund t’i shmangeni nëse vazhdoni në këtë rrugë”.

Sipas raportimeve, ka një listë të gjatë të klerikëve të ndershëm në Itali, të cilët nuk janë dorëzuar përpara mafies, disa prej të cilëve kanë paguar edhe me jetët e tyre. Por, ai tha se Kisha është akuzuar se nuk ka bërë mjaftueshëm për t’u përballur me gangsterët.

Aktivistët anti-mafie shpresojnë që fjalët e Papës të jenë një sinjal i qartë, se ai mbetet në anën e tyre për t’i mbështetur në iniciativat që ndërmarrin.

Top Channel