Uruguaji pret të burgosurit e Guantanamos

21/03/2014 00:00

Presidenti i Uruguajit, Jose Mujica ka deklaruar se vendi i tij do të
presë pesë të burgosur nga burgu amerikan i Guantanamos në Kubë.

Zoti Mujica tha se ai kishte pranuar një kërkesë të presidentit amerikan Barack Obama për të marrë disa nga të dënuarit që janë ende në burgun famëkeq.

Ai shtoi se pesë të burgosurit do të mirëpriten për të jetuar dhe punuar bashkë me familjet e tyre në Uruguaj.

Presidenti Obama është zotuar se do t’i lirojë të gjithë dhe se do ta mbyllë kampin ku ndodhen 154 të burgosur, shumica e të cilëve nga Jemeni.

“Presidenti amerikan dëshironte ta zgjidhte këtë problem, kështu që ai po kërkon disa vende që t’i strehojnë ata. Dhe unë i thash atij se do t’i presim”, deklaroi zoti Mujica në rrjetet sociale.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Montevideo deklaroi se Uashingtoni zyrtar po negocion me vende të ndryshme në rajon dhe se u afrua me zotin Mujica për shkak të lidershipit të tij në Amerikën Latine.

Një ish-anëtar i grupeve guerrile, presidenti uruguajan kaloi rreth 15 vjet në burg gjatë qeverisjes ushtarake të viteve 1970 dhe ’80 në vendin amerikano-jugor. Ai tha se e kishte pranuar kërkesën e SHBA për motive humanitare.

Presidenti Obama ka deklaruar disa herë se burgu ka dëmtuar imazhin e Amerikës në botë, por planet e tij për ta mbyllur janë penguar disa herë në Kongres.

Top Channel