“Twitter”, Abdullah Gul kundër Erdogan

21/03/2014 00:00

Vendimi për të bllokuar rrjetin social “Twitter” ka shtuar listën e kundërshtarëve të kryeministrit turk, Recep Taip Erdogan. Këtë herë kundër tij është rreshtuar vetë presidenti i Turqisë, Abdullah Gul.

Presidenti zgjodhi pikërisht profilin e tij zyrtar në këtë rrjet social për të kundërshtuar vendimin e qeverisë. “Teknikisht kjo është e pamundur të realizohet. Rrjete të tilla sociale që veprojnë në të gjithë botën nuk mund të bllokohen. Bllokimi i tyre mund të bëhet vetëm nëse ka një vendim gjykate lidhur me privatësinë e qytetarëve tanë”, shkruajti Gul.

Përdoruesit e Twitter-it në Turqi raportojnë se faqja e rrjetit social është bllokuar të enjten. Disa prej tyre janë përpjekur të hapin faqen e internetit “Twitter.com”, por menjëherë janë drejtuar te një deklaratë e bërë nga Rregullatori i Telekomunikacionit të Turqisë.

Në të citohet një urdhër gjykate që detyron aplikimin e “masave të mbrojtjes” ndaj faqes. Njoftimi vjen pak kohë pasi kryeministri Recep Tayyip Erdogan u angazhua “të mbyllë Twitter”, pas akuzave për korrupsion ndaj rrethit të ngushtë të bashkëpunëtorëve të tij.

Edhe korrespondenti i BBC-së në Stamboll raporton se nuk mundet të ketë akses në këtë rrjet social.

“Nuk më intereson se çfarë do të thotë komuniteti ndërkombëtar. Të gjithë do të njohin tani e tutje forcën e pushtetit të Republikës së Turqisë”, kishte thënë Erdogan gjatë ditës së enjte.

Ai foli pak pasi disa përdorues kishin publikuar dokumente që, siç raportohet, jepnin prova mbi korrupsionin që rrethon kryeministrin, një akuzë që ai vet e ka mohuar.

Zyra e tij njoftoi se Twitter nuk iu përgjigj vendimeve të gjykatës në Turqi, për të hequr disa lidhje, gjë që bëri që Ankaraja zyrtare të vepronte. Drejtuesit e Twitter ende nuk kanë komentuar publikisht mbi këtë çështje.

Në Turqi, janë rreth 10 milionë përdorues aktivë të Twitter, një pjesë e të cilëve kanë gjetur mënyra alternative për ta hapur rrjetin social. Në 2010-n, vendi hoqi ndalimin e përdorimit të Youtube, dy vite pasi kishte bllokuar aksesin në këtë uebsajt, për shkak të disa videove ofenduese ndaj themeluesit të këtij vendi, Mustafa Kemal Ataturk.

Top Channel