SHBA: Rusia synon më shumë nga Ukraina

21/03/2014 00:00

Bazuar te burimet e inteligjencës, zyrtarë të administratës Obama janë tepër të shqetësuar në lidhje me besueshmërinë e rusëve, sidomos kur ata thonë se forcat e tyre ushtarake pranë kufijve lindorë e jugorë të Ukrainës janë vendosur atje për stërvitje, bëhet e ditur për CNN.

Zyrtarët vlerësojnë se Rusia, jo më vonë se ditët në vijim, mund të përdorin çdo lloj preteksti të mundshëm për të justifikuar inkursione të mëtejshme ushtarakë në Ukrainë.

Moska mund të shprehë nevojën për të mbrojtur ukrainasit rusisht-folës, ose të mbrojnë linjat e transportit nga Rusia drejt Krimesë, apo furnizimin me energji drejt Krimesë nga pjesë të tjera të Ukrainës.

Trupat ruse mund ta përmbushin me shpejtësi këtë synim, – thonë zyrtarët, – dhe teorikisht përpara se sa ndonjë vend tjetër të ngrejë kundërshtimet e tij.

Zyrtarët ia atribuojnë publikisht skepticizmin e tyre sigurive të mëparshme ruse, të cilat kanë rezultuar false, si dhe thonë privatisht se burime të inteligjencës të kësaj fushe kanë përforcuar këtë këndvështrim të planeve të Rusisë.

I pyetur për një vlerësim të drejtë të shqetësimeve nga Shtëpia e Bardhë për një inkursion të mundshëm, një zyrtar i lartë i administratës tha për CNN se “jemi tepër të shqetësuar, por sigurisht që kjo gjë nuk është e sigurt”.

Në një tjetër ngjarje, këshilltarja për Sigurinë Kombëtare, Susan Rice, tha të premten se rusët kanë thënë se qëllimi i tyre është kryerja e stërvitjeve ushtarake.

“Siç dihet nga praktikat e tyre të mëparshme, si dhe diferencës mes asaj që ata thonë dhe asaj që ata bëjnë, ne i shikojmë ata me skepticizëm”, tha ajo.

Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel, foli me homologun e tij rus, ministrin e Mbrojtjes, Sergey Shoigu, ditën e enjte.

Shoigu dha “siguri se trupat ushtarake të vendosur përgjatë kufirit janë atje për të zhvilluar vetëm stërvitje, se ata nuk kanë asnjë objektiv për të kaluar kufirin drejt Ukrainës, dhe se nuk do të ndërmarrin asnjë veprim agresiv”, sipas zbardhjes nga Pentagoni të telefonatës mes tyre.

Top Channel