Meta: S’ka sulme ndaj institucioneve

21/03/2014 00:00

Përkundër deklarimeve të kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho për pamundësinë e kryerjes së detyrës nga Shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi për shkak të mungesës së çertifikatës së Sigurisë, kreu i Kuvendit, Ilir Meta apeloi për t’u distancuar nga ajo që ai quajti “protagonizmi i tepruar”.

Ndërsa deputetë të maxhorancës kanë nisur në Komisionin e Sigurisë një grup kontrolli për funksionimin e SHISH, i pyetur për një nismë të mundshme për shkarkimin e Visho Ajazit Ilir Meta u përgjigj:
“Unë besoj se çdo institucion duhet të vijojë punën e tij edhe në këtë drejtim dhe të përmbushi përgjegjësitë respektive, dhe në këtë drejtim e theksoj rëndësinë e madhe të shmangjes së protagonizmit dhe sidomos të atij të tepruar nga cilido lidhur me punën, performancën e këtij shërbimi shumë të rëndësishëm dhe të mos paragjykojmë asnjë proces. Për më tepër, që çdo proces do të jetë institucional dhe jam i bindur që do të jetë edhe transparent. Unë nuk kam përjashtuar asnjë aktor nga protagonizmi i tepruar që ka shfaqur”.

Aleati më i madh në qeverinë Rama, deklaroi se kjo maxhorancë ka një raport tjetër me institucionet, në ndryshim nga ajo paraardhëse, ku nxisim  pavarësinë e tyre, tha Meta.

Në këtë deklarim ai siguroi se nuk ka asnjë sulm ndaj Presidentit të Republikes, por Bujar Nishani, tha ai është keqkuptuar kur qendrime të caktuara të disa prej deputetëve të së majtës, i ka konsideruar si qëndrime të maxhorancës. Ai rënditi një sërë institucionesh, drejtuesit e të cilëve janë emeruar nga maxhoranca e djathtë, si Kreu i KLSH, ai i Prokurorisë apo Bankës së Shqipërisë, bashkëpunimi me të cilët është shumë i mirë, tha Meta, duke ftuar opozitën t’i shohë këto si fakte dhe të mos bëhet mbrojtëse e paligjshmërisë.

Me këtë të fundit ai identifikoi qëndrimin e PD për kreun e AMA-s, Endira Bushati, që sipas Metës duhet të zëvendësohet në bazë të ligjit.

“Është konstatuar se kryetarja e AMA-s, sipas vendimeve të Kuvendit në cilësinë e anëtares fillimisht dhe më pas të kryetares së ish-KKRT-së, nuk legjitimohet në mandatin e kryetares, pasi ajo nuk është e zgjedhur më si anëtare prej shtatorit të viti 2012. Në këto kushte aktualisht tek AMA vendi i kryetarit është vakant, pa përmendur këtu edhe tre vendet e tjera për anëtar”, tha Meta.

Kryeparlamentari i apeloi opozitës të heqë dorë nga mbrojtja anti-ligjore që po i bën kreut të AMA-s, të cilën e quajti qëndrim të sforcuar partiak për interesa afatshkurtra.

Kreu i Kuvendit përshëndeti ftesën për takim që kryeministri Rama deklaroi në Top Story se do t’ia drejtonte kundërshtarit politik, Lulzim Basha për reformën territoriale.

“Shpresoj dhe do të uroja që ky takim të realizohet sa më shpejt dhe të jetë produktiv në mënyrë që Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrative dhe Territoriale të vihet plotësisht në punë”, deklaroi Meta.

PD: Meta, po aq fajtor sa Rama

Por pavarësisht qëndrimeve të shprehura publikisht të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, për Partinë Demokratike ai është nismëtar dhe po aq përgjegjës për atë që opozita e quan sulm ndaj institucioneve të pavarura për kapjen e tyre.

Në një dalje për mediat, deputeti demokrat, Arben Ristani akuzoi kreun e Kuvendit për interesa klienteliste në kapjen e institucioneve të pavarura, përfshirë këtu Institutin e Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë, Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe Shërbimit Informativ Shtetëror.

“Pas toneve dhe thirrjeve kinse të moderuara, fshihet Ilir Meta i vërtetë, nismëtar dhe garant i sulmeve kundër institucioneve të pavarura, si ILDKP, AMA, SHISH. Përtej fjalëve të dala boje, fshihet Ilir Meta i vërtetë, i cili ka interesat e tij klienteliste për kapjen e institucioneve dhe forcimin e pushtetit të tij personal”, deklaroi Ristani.

Deputeti demokrat akuzoi Metën edhe për tensionet e në Kuvend mes maxhorancës dhe opozitës.

“Ilir Meta është njësoj bashkëpërgjegjës me Edi Ramën për situatën konfliktuale në vend, për tensionin në parlament që shkarkohet nga gurra e pashterur e provokimeve dhe e fyerjeve të Kryeministrit ndaj opozitës, për luftën që mazhoranca i ka hapur çdo institucioni në vend”, tha ai.

Top Channel