Afganistan, 5 shpërthime, asnjë viktimë

20/03/2014 00:00

Të paktën 5 shpërthime janë dëgjuar në qytetin lindor të Afganistanit, Jalalabad, ndërkohë që raportohen edhe të shtëna me breshëri në një prej zyrave qendrore të policisë, pranë selisë së qeverisë provinciale, bëjnë të ditur burime të “Al Jazeera”-s.

Sipas korrespondentes së televizionit arab në Kabul, sulmi nisi rreth orës 05:30 të mëngjesit, me orën lokale, në rajonin numër 1 të Jalalabadit, dhe ende nuk ka përfunduar.

“Selia e policisë u sulmua menjëherë pasi 5 shpërthime tronditën qytetin”, tha ajo. E ndodhur shumë pranë zyrave qendrore të qeverisë provinciale, selia e policisë është një nga pjesët më të sigurta të qytetit.

Pavarësisht shpërthimeve dhe sulmit, nuk ka raportime për viktima, teksa asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë e këtre sulmeve momentalisht.

Burimet në fjalë thanë se “njerëz të armatosur dhe me jelekë me lëndë shpërthyese hynë në stacionin e policisë”, ndërkohë që 12 policë ishin duke kryer detyrën.

Korrespondentja tha se sulmi kompleks mbante “vulat” e talebanëve. Vendi është në prag të përgatitjeve për zgjedhjet e 5 Prillit dhe talebanët kanë premtuar se do të “shkatërrojnë” zgjedhjet.

Top Channel