Rikthimi i pronave në bregdet

18/03/2014 00:00

Problemi 20-vjeçar mbi pronësinë e tokës ka shkaktuar debate në
Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, ku u diskutua nisma e
deputetit të opozitës Fatmir Mediu për amendimin e ligjit mbi pronësinë e
tokës bujqësore pa shpërblim.

Ky amendim parashikon që pronat e shtetëzuara apo konfiskuara nga shteti të përfshira në zonën me përparësi turizmin në jug të vendit të kalojnë në pronësi të pronarëve që i kanë zotëruar ato para vitit 1945.   

“Ka një gangrenë çështja e pronësisë. Eshtë cështje e gjykimit tonë. Ligji 7501 nuk preket. Pse? Sepse e kemi ndarë politikisht sipas interesave politike dhe korruptive. Janë marrë toka të thella bujqësore, me idenë për t’i dhënë specialistëve të bujqësisë që nuk kanë patur dhe nuk kanë asnjë lidhje dhe sot janë pronarë me tokat e fermave bujqësore. E gëzojnë atë privilegj për të qenë pronarë në një tokë, të cilën as nuk e shikojnë se ku është, përfitojnë në mënyrë abuzive, duke shmangur të drejtën e përfitimit të pronarëve të ligjshëm. Shoferë drejtorësh, agronomë që jetojnë në qytet, drejtorë ndërmarrjesh bujqësore në tokat më të mira bujqësore”, tha kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Abuzimet janë konstatuar në dokumentet zyrtare të Bashkisë së Himarës dhe Kontrollit të lartë të Shtetit, pranuar dhe nga Gjykata e Vlorës. Sipas Mediut është verifikuar se 100 % e dokumenteve të dhënies së tokës bujqësore në përdorim lëshuar nga komisionet janë të paligjshme.

Por kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi thotë se kaosi i krijuar me pronën nuk mund të zgjidhet me amendimin ligjor të radhës.

“Çdo tentativë për të zgjidhur me forma të tilla, do të jetë që në fillim të herës, e dështuar. Pa unifikuar institucionet, pa dixhitalizuar, pa një bazë informacioni të saktë, çështja e pronave do të vazhdojë të rrokulliset në këtë tatëpjetë që ka marrë”, tha Shalsi.

Sipas Shalsit, problemet me pronësinë mbi tokën po rrisin çdo ditë e më shumë faturën që taksapaguesit shqiptarë duhet të paguajnë si pasojë e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut.   

Top Channel