Crown Agents “merr” nën kontroll doganat

17/03/2014 00:00

Tre muaj pasi Parlamenti miratoi kontratën e Qeverisë me kompaninë
britanike Croën Agents, Kryeministri Edi Rama pa nga afër nisjen e
operacionit në terren nga doganierët britanikë.

Gjatë bashkëbisedimit me doganierët shqiptarë dhe ata britanikë, Kryeministri Edi Rama bashkëveprimin mes tyre, e cilësoi si nisjen e një transformimi rrënjësor dhe historik për doganën shqiptare në shërbim të biznesit. Crown Agents me eksperiencën e tyre,- tha Rama,- do të jene syri publikut shqiptar në çdo pikë doganore, për të rikthyer besimin në doganat shqiptare, të cilat i cilësoi si të trashëguara në kushte të mjerueshme.

“Siguria, në marrëdhëniet e çdo sipërmarrjeje, me çdo doganier apo doganiere të Shqipërisë, është për ne, një çështje prioritare. Ndërveprimi ynë i ri, mes doganave të Shqipërisë dhe ‘Crown Agents’ është një shtysë e re përpara, kundër tërbimit kërkonjës  tradicional në xhepat e njerëzve dhe në xhepat e sipërmarrjes. Eshtë një shtysë përpara kundër tërbimit kërkonjës që ka meruar, kur thotë populli, ekonominë dhe financat tona. Merita jonë nesër do të jetë, që së bashku me ‘Crown Agents’ të ndërtojmë një sistem të ri”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi çeljen e shkollës për doganierët, ku i gjithë personeli do të përfshihet në kurse të përjavshme dhe se ata gjatë muajve në vijim do t’i nënshtrohen provimit.

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave shqiptare, Elisa Spiropali e vuri theksin në punën në grup që do të zhvillohet me Crown Agents.

“Ne kemi një moto, mes Doganës Shqiptare dhe ‘Crown Agents’. Ne nuk jemi dy skuadra, jemi një skuadër dhe suksesi jonë është sukses i përbashkët”, tha Spiropali.

David Smith, drejtor i Croën Agents për Shqipërinë u shpreh se sot kurorëzojmë punën e disa muaj parapërgatitje dhe se ky është vetëm fillimi i punës në terren.

“Pas 1 jave ne do të dorëzojnë në tavolinën e ministrit të Financave raportin e parë, i cili do të përshkruajë arritjet e grupeve tona operacionale”, tha Smith.

Ambasadori britanik në Tiranë, Nicolas Cannon deklaroi se kjo është mënyra më efektive për t’ju përgjigjur jo vetëm nevojave të publikut por dhe të Qeverisë shqiptare.

Top Channel