Berisha, Visho Ajazi dhe kriza e besimit

17/03/2014 00:00

ILIR YZEIRI – Pas Presidentit Nishani, edhe Berisha deklaroi se Visho
Ajazi ose SHISH-i ka informuar për serialin e shpërthimeve me tritol,
por Rama dhe Tahiri nuk e kanë vënë ujin në zjarr.

Ky është lajmi. Në pamje të parë, nuk ka asgjë të keqe që ish-kryeministri i vendit të marrë në mbrojtje njeriun që e vuri vetë në krye të Shërbimit Informativ, duke larguar pa vullnetin e aleatëve tanë euroatlantikë Bahri Shaqirin.

Ndërsa Presidenti i Republikës është në të drejtën e tij që të shprehet për punën e këtij shërbimi, sepse edhe ai informohet në rrugë zyrtare për efikasitetin ose jo të këtij shërbimi. Pikëpyetja qëndron mbi një denoncim flagrant ose vetëdenoncim flagrant që bën Berisha. Ku e di Berisha që Visho Ajazi ka informuar Ramën dhe Tahirin.

Nga ajo që është lënë të kuptohet, rezulton e kundërta. Ministri i Brendshëm ka thënë që ky shërbim nuk ka qenë funksional dhe bashkëpunues. Kryeministri Rama nuk është shprehur drejtpërdrejt, por përderisa ministri i tij ka dhënë atë shpjegim, të gjithë duhet të besojmë se edhe Kryeministri Rama ndan të njëjtin mendim me ministrin e tij dhe jo me Berishën.

Pra, nga ky arsyetim del që Visho Ajazi ka informuar Berishën, sepse ky ka dijeni që SHISH-i ka kryer hetim për serialin e vrasjeve me tritol. Mirëpo, qeveria përmes ministrit të Brendshëm ka deklaruar të kundërtën. Atëherë çfarë duhet të besojmë? Në qoftë se duhet ta marrim të mirëqenë atë që thotë Berisha, duhet të besojmë se SHISH-i dhe Visho Ajazi informojnë Berishën, por jo qeverinë. Ky është një arsyetim shumë i përciptë dhe të gjithë jemi të prirur që të mos e besojmë këtë version. Marrim rastin që Berisha, i mësuar të bëjë politikë me diversion, e përdor njeriu e besuar të tij, Vishon, që të denigrojë qeverinë aktuale dhe, në këtë rast, ai nuk ka asnjë informacion, pra Visho Ajazi nuk i ka dhënë atij asnjë informacion, por ai e përdor emrin e tij për diversion.

Kjo është një taktikë e njohur e tij që të luajë me njerëzit që i përdor në mënyrën më të turpshme. Po të ishte ndryshe, Visho Ajazi dhe institucioni që ai përfaqëson duhet të kishin bërë një deklaratë për shtyp dhe të sqaronin këtë rrëmujë informative që ka si aktor njeriu pa asnjë skrupull moral – Berishën. Mirëpo, në të gjitha rastet, Visho Ajazi duhet të japë dorëheqjen dhe në qoftë se ai nuk e bën këtë, qeveria përmes Parlamentit duhet të përdorë të gjithë mekanizmat që ta largojë atë, sepse personaliteti i tij është vënë në dyshim dhe ai po e lejon veten që të përdoret si një kavie politike nga Berisha. Shërbimi Informativ Shtetëror është një garanci kombëtare dhe jo një armë politike që të përdoret në luftën pa princip që bën Berisha për ta ndotur atmosferën e këtij vendi. Rasti i Visho Ajazit ngre edhe një herë në këmbë problemin e madh të institucioneve të pavarura në Shqipëri. Berisha nxitoi që t’i përdhoste të gjitha këto institucione duke emëruar aty kamikazë të tij. Prokurori i Përgjithshëm dhe shefi i SHISH-it janë dy rastet më të bujshme. Situata absurde e mosndëshkimit të korrupsionit dhe krimit, si dhe përmbytja e vendit me celula terroriste me frymëzim radikal islamik e bën gjithnjë e më të domosdoshme korrigjimin e këtyre institucioneve. Problemi i agjencive të shërbimit në Ballkan është një çështje e mprehtë. Gjithnjë e më shumë vijnë informacione se fqinjët tanë shpenzojnë energji e financime të mëdha për të nxitur në viset shqiptare lloj-lloj ekstremizmash fetarë dhe shkojnë deri atje sa të nxisin edhe një lloj kulture orientale turbofolk që ne të identifikohemi gjithnjë e më shumë me ciganët e Ballkanit, të dukemi në sy të Europës si një popull pa muzikë, pa tradita dhe pa qytetërim. Kjo natyrisht që nuk është paranojë, por është një perceptim i përgjithshëm që mbështetet edhe në shumë fakte e sidomos në epideminë e klimës antishqiptare që po zotëron si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Në të gjithë këtë katrahurë, Shërbimi ynë Informativ Shtetëror është kthyer në një agjenci të rëndomtë që manipulohet nga Sali Berisha. Jo, kjo është tepër.

Gazeta “Shqip”

Top Channel