Rama: Kthesë në ekonomi

16/03/2014 00:00

Prej mesditës së të shtunës, deri pas dreke të dielën, qeveria ka qëndruar e mbledhur për një takim informal në mjediset e një hoteli në Vlorë.

Një burim qeveritar i tha Top Channel se kjo mbledhje është kërkuar nga kryeministri Rama, për të analizuar bashkarisht me ekipin e tij punën e bërë në këta gjashtë muaj, si edhe për të përcaktuar punën që mbetet për t’u bërë në kuadrin e planit 300-ditor të qeverisë.

Të njëjtat burime thonë se janë analizuar me imtësi të dhënat e ekonomisë dhe është shprehur optimizëm për shenjat e kthesës, që ka nisur të marrë ekonomia, sipas ministrave përkatës që mbulojnë ekonominë.

Një theks i posaçëm është vënë te rritja e mëtejshme e cilësisë së marrëdhënieve të qeverisë me biznesin, posaçësrisht për sjelljen e re të Tatimeve e të Doganave.

Top Channel ka mundur të mësojë se tre muajt e ardhshëm do të jenë muaj të shpalosjes në publik të një sërë reformash të thella dhe nismash të reja ligjore, mbi sigurinë, energjinë, financat, arsimin, pensionet, investimet, legalizimet, pronat, lojrat e fatit, etj.

Po ashtu, në tre muajt e ardhshëm do të zhvillohet një trajnim intensiv i administratës, në çdo ministri dhe në çdo shërbim si tatime, dogana, hipoteka, etj., kjo për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve apo biznesit.

Një pjesë të rëndësishme deri në fund të Qershorit do të zërë ajo që kryeministri Rama mësohet ta ketë quajtur beteja për jetë a vdekje me borxhet për energjinë, duke kërkuar që çdo institucion në radhë të parë, qendror apo vendor, si dhe çdo biznes apo familje që konsumon energji, të paguajë një më një për atë që konsumon.

Së shpejti, qeveria do të paraqesë masat për mbajtjen e të ardhurave në banka, apo ndalimin e çdo shërbimi nga shteti për debitorët e energjisë. Gjatë ditës së diel, qeverisë i janë bashkuar rreth njëzet drejtorë të agjencive më të rëndësishme shtetërore për të marrë pjesë në diskutimin për punët që duhen bërë për realizimin e plotë të objektivave të 300-ditëshit.

Top Channel