“Transformimi i sektorit të bujqësisë”

15/03/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Bujqësisë Edmond
Panariti dhe deputetët e qarkut të Lushnjës vizituan një investim
agro-bujqësor në zonën e Zhamës, i pari në llojin e tij në Shqipëri, për
grumbullimin, përpunimin dhe paketimin e produkteve bujqësore.

Tashmë ka ardhur koha,- tha Kryeministri Rama, – që paratë e hedhura në bujqësi nuk duhet të jenë për të mbështetur mbijetësën, por për transformimin e këtij sektori, kyç per zhvillimin e ekonomisë.

“Do t’ju mbështesim me legjislacion, do t’ju mbështesim financiarisht duke mbështetur edhe pjesët e tjera të zinxhirit dhe të gjithë ata të tjerë, që duke iu parë ju, në shembullin tuaj, të ndërmarrin nisma të reja për invesëtime të reja që krijojnë vende pune dhe që e forcojnë këtë zinxhir për të kaluar nga bujqësia e mbijetesës tek bujqësia e zhvillimit dhe transformimit. 60 punëtorët tuaj këtu shumëzohen me qindra e mijëra të tjerë në fushë, sepse është zinxhir rritja e shtimit të vendeve të punës këtu. Do të thotë shumë më tepër produkt për t’u përpunuar, do të thotë më shumë njerëz që prodhojnë dhe kanë sigurinë që vinë këtu edhe e marrin”, tha Rama.

Këtë investim ministri Panariti e quajti një shëmbull suksesi duke garantuar mbëstetjen e plotë të Qeverisë për iniciativa të ngjashme.

“Në fondet që Qeveria shqiptare ka alokuar, për bujqësinë, ato që quhen mbështetje financiare për suvencionet 60% e parave shkojnë për mbështetjen e këtyre investimeve, që janë gjithëpërfshirëse, që nuk i takojnë një kategorie të caktuar, por i takojnë të gjithë fermerëve se këtu fitojnë të gjithë. Fiton fermeri, përpunuesi ai që transporton dhe është një zinxhir vlerash”, tha Panariti.

Pavarësisht se janë ditët e para të funksionimit të kësaj pike të përpunimeve bujqësore ajo ka ngjallur interesin e biznesmenëve kosovarë, të cilët i shprehën Kryeministrit Rama, interesin për produktet bujqësore nga Shqipëria të paketuara sipas standardeve.

Top Channel