Sipërmarrësit krutanë:1500 vende të reja në Durrës

11/03/2014 00:00

1 500 vende të reja pune në qarkun e Durrësit. Ky ishte angazhimi dy
sipërmarrësve krutanë, të cilët kanë njohur Kryeministrin Rama me
potencialet e zgjerimit të biznesit fason, në të cilin ata janë
përfshirë prej shumë vitesh.

Nga një fabrike këpucësh në qytetin e Krujës, ku aktualisht janë punësuar 700 gra, Kryeministri Rama së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj, shprehën mbështetjen e Qeverisë për biznest ekzistuese fasone dhe ato te reja.

Kryeministri Rama tha se projektligji për biznesin fason është duke u hartuar dhe do të shërbejë në një shtytje akoma më të madhe të tilla bizneseve, një burim punësimi i shpejtë.

“Ne kemi bërë një procedurë shumë të përshpejtuar për gjithë këto lejet që kanë lidhje me prodhimin dhe me punësimin. Kemi bërë në këtë periudhë kontakte me pothuajse të gjithë nga industria dhe janë 42 pika, që kemi mbledhur si kërkesa të industrisë dhe tani jemi në fazën finale, që t’i kthejmë në paketë të re masash për të mbështetur industrinë fason”, tha Rama.

Kryeministri ka qëndruar për pak çaste, duke bashkëbiseduar me punonjëset.

“Me mbështetjen e grave sidomos e kemi më të lehtë të shkojmë përpara. Të gjithë ata që bazohen te fuqia e grave shkojnë përpara, prandaj edhe Qeveria jonë ka më shumë gra se asnjëherë”, tha Rama.

Sipërmarrësit e kësaj fabrike në Krujë e njohën kryeministrin me planin e tyre në hapjen e një fabrike të re në Durrës. Kryeministri u ndal edhe në një tjetër fabrikë e cila është në ndërtim e sipër.

Top Channel