Qeveria fal 30 milionë USD gjoba

11/03/2014 00:00

Qeveria ka bërë për herë të parë publike faturën financiare nga falja e
gjobave të vëna ndaj biznesit gjatë muajve të fushatës elektorale dhe
tranzicionit politik.

“Mbi 30 milionë dollarë gjoba, në atë periudhë janë vënë mbi biznesin, shumica e të cilave janë politike. Ne sapo e kemi kaluar në Qeveri draftligjin, i cili po shkon shumë shpejt në Parlament, për të falur gjobat që janë vënë mbi biznesin nga një 1 marsi i 2013, deri në 31 gusht të 2013”, tha Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Ahmetaj tha se paralelisht, Qeveria ka nisur edhe pagesën e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit. Sipas tij, këto masa dhe klima e re që është krijuar me biznesin kanë rikthyer besimin e sektorit privat në ekonomi.

“Ne kemi filluar të ndjejmë menjëherë, jo vetëm lirshmërinë e kompanive në pritshmëritë ekonomike, të reflektuar qoftë në konsum, i cili ka ardhur duke u rritur. Kjo vjen në rradhë të parë nga klima e biznesit e krijuar, por në fakt, kjo vjen gjithashtu edhe nga besimi që ju keni tek Qeveria edhe për shkak se Qeveria ka filluar në kohë të mbajë fjalën”, tha Ahmetaj.

Gjatë një takimi me kryetarët e Dhomave të Tregtisë në rrethe dhe përfaqësues të sipërmarrjes, Ahmetaj ka kërkuar nga grupimet e shumta të biznesit që të jenë më të rakorduara në kërkesat që kanë ndaj Qeverisë për reformat ekonomike dhe masat fiskale.

Top Channel