Fillon likuidimi i borxheve

08/03/2014 00:00

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Qeveria
shqiptare nis shlyerjen e borxheve ndaj biznesit. Ministria e Financave
ka publikuar listën e detyrimeve të prapambetura për punët publike dhe
rimbursimin e TVSH-së, në një vlerë prej rreth 30 miliardë lekësh.

Zëvendësministri i Financave Erion Luci thotë se në grupin e punëve publike 14 miliardë lekë janë fatura me informacion të plotë, për të cilat procesimi do të fillojë menjëherë gjatë javës në vijim. Ndërsa 6 miliardë lekë janë fatura që kërkojnë plotësim informacioni e që do të bëhet shumë shpejt nga institucionet përkatëse për t’u futur sipas datës në listpagesat e faturave.

Faturat e TVSH-së janë rreth 7.4 miliardë dhe procesimi i tyre do të fillojë menjëherë gjatë javës që vjen duke filluar nga vitet më të hershme. Faturat më të hershme datojnë në vitin 2005. Pagesat e punëve publike janë kryesisht në sektorët e infrastrukturës rreth 80 për qind, arsimit 15 për qind dhe shëndetësisë 5 për qind. Zëvendësministri Luci thotë se në këto lista përfshihen shërbime për të cilat është lëshuar faturë. Rastet kur nuk është lëshuar faturë duhet të ndjekin të gjitha hapat deri në lëshimin e saj dhe duhet të përfshihen në buxhetin e vitit aktual.  

Top Channel