Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha në Kongresin e Partisë Popullore Europiane, PPE, në Dublin të Irlandës.

Pas takimeve të zhvilluara me personalitete të politikës vendimmarrëse të BE-së, kryedemokrati Basha u shpreh se kishte marrë prej tyre mesazhin se Shqipëria rrezikon statusin në qershor.

“Mesazhi nga kryetarët e qeverive të shteteve anëtare dhe drejtueseve të institucioneve europiane të pranishëm në këtë kongres ishte i qartë dhe pa ekuivok. Me frymën e saj antikushtetuese, me goditjet e njëpasnjëshme kundër institucioneve të pavarura dhe tentativës për t’i kapur ato, me goditjet ndaj administratës publike dhe në tërësi frymën e konfliktualitetit që ka injektuar në marrëdhëniet me opozitën, qeveria rrezikon seriozisht statusin në qershor”, deklaroi Basha.

“Jo vetëm kaq, por kjo sjellje, e cila konsiderohet se po zhbën disa standarde të arritura tashmë në Shqipëri, po rrezikon imazhin e Shqipërisë dhe progresin e gjithanshëm të Shqipërisë në raport me aspiratën e saj për integrim ne BE”, vijoi kryetari i PD.

Zoti Basha mori pjesë edhe në konferencën “Ballkani Perëndimor në BE, perspektiva dhe sfida”, ku theksoi nevojën për angazhim dhe fokus të vazhdueshëm për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike në Ballkanin Perëndimor dhe shprehu angazhimin dhe përkushtimin e PD, ashtu si dje në qeverisje të vendit edhe sot në opozitë, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Top Channel