Një mjeshtër për gatimin

07/03/2014 00:00

Në shumë kultura të botës, gatimi konsiderohet art më vete. I shijshëm, i shëndetshëm, por edhe i bukur për syrin.

Çdo vend me specialitetet e tij: shije e aroma specifike, mënyra gatimi nga më të thjeshtat, deri te më të ndërlikuarat, që e kanë kthyer ushqimin, përpos funksionit jetik, në kënaqësi më vete për masën, profesion të vlerësuar për kuzhinierët dhe pasion për të tjerë.

Pikërisht pasionit të gatimit i dedikohet “Reality show” më i ri në Top Channel: “Masterchef”, në transmetim çdo të shtunë në mbrëmje, për 14 javë radhazi. Njerëz të grupmoshave e profesioneve të ndryshme, por me të përbashkët pasionin e gatimit, do të garojnë me njëri-tjetrin për t’u shpallur “Masterchef”.

Amatorë, që do të gatuajnë në studio, në kushtet dhe mjetet normale që përdoren në shtëpi, në një garë që kërkon nuhatjen e mirë për të zgjedhur përbërësit e duhur, për gatimet perfekte, por edhe nuhatje të situatave në një lojë psikologjike, për të mposhtur konkurrentët.

Kreativiteti në gatim dhe inteligjenca do të duhet të ecin me të njëjtin hap, për të përballuar sfidat e vazhdueshme. Receta, nga tradicionalet vendase e ndërkombëtare, deri tek ato të krijuara nga vetë konkurrentët. Gjithçka do të vlerësohet nga tre “Masterchef”.

Eliminim fazë pas faze, deri në përzgjedhjen e më të mirit: “Masterchef”, i cili do të fitojë çmimin prej 10 mijë eurosh dhe mundësinë e botimit të një libri me recetat e tij.

“Reality show” i gatimit, “Masterchef”, është realizuar në mbi 40 vende të botës, si Britani e Madhe, Itali, Kanada, SHBA dhe Australi. Në këtë kontinent, finalja e një edicioni të “Masterchef” ka hyrë në treshen e programeve më të ndjekura të historisë australiane televizive.

Tashmë edhe në Shqipëri, në Top Channel, nga e shtuna, ora 20:45.

Top Channel