Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka deklaruar se krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës ka marrë përkrahjen e OKB-së dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Në mbledhjen e dyte të qeverisë për këtë javë, duke iu përgjigjur reagimeve të Beogradit, ai tha se Kosova është shtet i sovran dhe i pavarur dhe vendimet e saj po respektohen.

“Me lejoni që në fillim të falënderoj edhe një herë gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, SHBA-të, vendet e BE-së, NATO-n dhe sot edhe qëndrimin e qartë të Kombeve të Bashkuara për vendimin e qeverisë së Kosovës për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ne jemi vend i pavarur, sovran, vendimet tona janë sovrane dhe këto vendime po respektohen nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare”, deklaroi Thaçi.

Në prezantimin e këtij projektligji, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili tha se me këtë propozim, Kuvendi mund të marrë vendim që t’i heqë pronësinë nga AKP-ja për ndërmarrje të caktuara, siç është rasti i ndërmarrjes Trepça.

“Sipas këtij projektligji, neni 3 paragrafi 4 i ligjit bazik fshihet në tërësi. Ndërsa nenit 11 të ligjit bazik i shtohen paragrafët 11.3 dhe 11.4 në tekstin si në vijim. Me propozim të qeverisë, Kuvendi mund të marrë vendim që ta heqë nga kompetenca e Agjencisë Kosovare për Privatizim ndonjë ndërmarrje shoqërore, ose njësi të caktuara organizative të një ndërmarrjeje, përfshirë asetet e tyre, dhe të autorizojë qeverinë që këtë ndërmarrje, përkatësisht njësitë e caktuara organizative të një ndërmarrje shoqërore, t’i regjistrojë si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës e merr këtë vendim nëse për një veprim të tillë ekziston një interes madhor publik”, deklaroi Ismaili.

Top Channel