Jared Leto, fëmijëria e varfër e fituesit të çmimit Oscar

07/03/2014 00:00

Jared Leto të dielën fitoi çmimin Oscar si aktori më i mirë joprotagonist për rolin e tij në filmin ‘Dallas Buyers Club’ dhe këtë çmim ai ia dedikoi nënës së tij, një gruaje që e rriti e vetme mes vështirësive të mëdha ekonomike.

Deri në moshën 8-vjeçare aktori kalifornian ka jetuar si një vagabond bashkë me mamanë dhe vëllanë: nga një shtet amerikan në tjetrin dhe duke u ushqyer me kuponat që shpërndante qeveria.

I braktisur nga babai që kur ishte i vogël, Jared së bashku me vëllanë vendosën që të dilnin nga varfëria nëpërmjet muzikës. Ata nisën të luanin me çdo instrument të mundshëm për të bërë muzikë dhe pas disa vitesh formuan grupin muzikor 30 Seconds to Mars.

Karriera muzikore e tyre pati sukses shumë të madh dhe me bandën e formuar kanë xhiruar botën dhe kanë shitur mbi 10 milionë albume. Por, para këtij suksesi ishte njerku i tyre, Carl Leto, ai që i largoi nga mizerja e Luizianës duke i çuar drejt një jete normale në Virxhinia.

“Do të flas për një nënë beqare që la shkollën, por gjeti një mënyrë për t’i dhënë fëmijëve të saj një jetë më të mirë. Ajo vajzë është nëna ime dhe sot është këtu. Faleminderit që më mësove të ëndërroja”, tha Leto i emocionuar kur u ngjit për të marrë çmimin Oscar.

Sipas shumë njerëzve, fjalimi i tij ishte më emocionuesi i asaj mbrëmjeje.

Top Channel