Qeveria do të blejë apartamentet stok

06/03/2014 00:00

Enti Kombëtar i Banesave do të blejë apartamente për të pastrehët, nga
stoku i banesave të kompanive të ndërtimit që nuk jane shitur apo
apartamente që i kanë kaluar bankave për shkak të kredive të pashlyera,
por me koston që do t’i duhej Entit të ndërtonte dhe jo me çmimin e
tregut.

“Synojmë që të kapim ato banesa, të cilat në njëfarë mënyre janë të bllokuara dhe nuk shiten për arsye nga më të ndryshmet. Ne synojmë të kapim ato banesa, të cilat janë në treg me çmim të barabartë apo përafërsisht të njëjtë me koston e ndërtimit të Entit Kombëtar të Banesave. Numri i banesave që do të blihen do të varet qoftë nga sipërfaqja e banesave, qoftë nga struktura e apartamenteve që do të jenë disponibël, por sigurisht që do të jetë brenda kostos me të cilën ne ndërtojmë. Kosto e ndërtimit nga Enti Kombëtar i Banesave luhatet për qytete të ndryshme, diku tek 33-35 mijë lekë të reja për metër katror”, thotë drejtoresha e Entit, Doris Andoni.

Per vitin 2014, Entit i eshte miratuar nje fond prej 100 milionë leke të reja për blerjen e apartamenteve në të gjithë vendin, ku sipas informacioneve te grumbulluara deri me tani, Durresi ka një numër të madh apartamentesh të pa shitura. Doris Andoni thote se në një fazë të dytë, do të përcaktohet se si do t’u shiten më pas këto apartamente të pastreheve.

“Procesi i blerjes së banesave është një nga aspektet e këtij programi. Faza e dytë do të jetë përcaktimi i politikës me të cilën ne do t’i shpërndajmë këto banesa, pra, e para cilat do të jenë familjet që do të përfitojnë, e dyta, në çfarë forme ne do t’ua ofrojmë këto banesa qytetarëve; do t’ua ofrojmë me blerje të menjëhershme, me këste, me shlyerje mujore apo një pjesë, ndoshta të vogël prej tyre, do ta mbajmë edhe ne gjendje stoku, në mënyrë që të kemi mundësi për ta adresuar raste emergjente në formën e dhënies me qira”, thotë Andoni.

Deri në vitin 2009 janë regjistruar gjithsej 17 mijë familje të pastreha, që i përkasin kategorive të ndryshme. Por, numri i tyre mendohet të jetë shumë më i lartë aktualisht, duke llogaritur edhe ato familje që iu shtuan listës së të pastrehëve për shkak të zbatimit të Aktit Normativ për kthimin e banesave ish-pronarëve.

Ne vend, perllogaritet se jane te pakten 20 mije apartamente te mbetur pa shitur te perqendruara keto ne qytetet Durres, Tirane, Vlores dhe Sarande.

Top Channel