Rikthehen njerëzit e SHIK-ut të ’97

04/03/2014 00:00

Emërimet në Shërbimin Informativ Shtetëror kanë qenë muajt e fundit objekt debati në media dhe jo vetëm. Disa javë më parë pati përfolje të disa prej drejtuesve të rinj të shërbimit dhe ndryshimeve që ndodhen pas emërimit të Visho Ajazit në krye të tij.

Marrja e detyrës nga Ajazi ka sjellë ndryshime radikale me shkarkimin e drejtuesve të thuajse të gjithë niveleve dhe emërimeve të reja, shumë prej të cilëve rikthehen pas më shumë se 15 vitesh.

Top Channel ka mundur të zbardhë një pjesë të reformës Ajazi, duke iu referuar burimeve brenda institucionit. Një burim nga SHISH i tha televizionit se një pjesë e madhe e drejtuesve të Shërbimit Infomativ Shtetëror rezulton të jenë pa arsimin dhe specializimet përkatëse, disa prej tyre kanë qenë shefat kryesorë në periudhën 1992-1997, kur emërtesa e shërbimit ishte SHIK dhe drejtohej nga i ndjeri Bashkim Gazidede, ndërsa të tjerë ka dyshime se janë të përzierë në disa trafiqe të paligjshme.

Ajo që rëndon mbi tre apo katër drejtuesë kryesorë është fakti se, nuk kanë vërtetimin e kushtit të sigurise për të punuar në SHISH, që bie ndesh me ligjin për statusin e punonjësit të SHISH, ndërsa disa të tjerë nuk kanë kryer kursin bazë, një kusht i domosdoshëm për të marrë detyrën në shërbim.

Dyshimet kryesore bien mbi emërimin e njeriut që mban pozicionin më të lartë në linjë informativo-operative, i cili 15 vjet më parë duke qenë punonjës i shërbimit u kap të transportonte drejt Kosovës armë në mënyrë të paligjshme dhe u lirua nga detyra.

Drejtori i Departamentit të Analizës së SHISH nuk ka vërtetim të plotësimit të kushtit të sigurisë në detyrë. Njeriu që kontrollon përgjimet, Drejtori i Drejtorisë së Departamentit të Mbështetjes nuk ka përfunduar kursin bazë, shprehen burimet.

Në të njëjtat kushte ndodhet emërimi i Drejtorit të Drejtorisë Kundër Narkotikëve, që jo vetëm nuk ka kushtin e sigurisë në detyrë, por s’ka as kursin bazë.

Pa kursin e detyrueshëm janë emëruar në detyrë, pas marsit të 2013-ës, kur shërbimin e drejton Visho Ajazi edhe Drejtori i Degës së Sigurimit të Personelit, njeriu që verifikon cdo punonjës që hyn në shërbim, Drejtori i Drejtorisë së Sigurisë; disa kryetarë degësh, inspektorët kryesorë në Kukës, Fier, Durrës, në Drejtorinë e Bashkëpunimit me Partnerët, në Drejtorinë e vëzhgimit e të tjerë.

Dyshime ka edhe mbi punësimin e disa gardistëve, ish-truproja të kreut të SHISH, Visho Ajazit, të cilët kanë marrë detyra të rëndësishme në shërbim, pa patur shkollën e lartë të detyrueshme në baze të ligjit, si edhe pa kursin bazë.

Shërbimi Informativ Shtetëror ka 14 drejtori në bazë, nga të cilat 9 më kryesoret drejtohen nga kuadro nga Mirdita, Dibra, Kukësi dhe Tropoja, të emëruar në shkurt të vitit 2013, vetëm pak muaj pasi vetë Ajazi kishte marrë detyrën e kreu të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Top Channel