Plani kombëtar i integrimit 2014

03/03/2014 00:00

Me mbështetjen e organizatës SMEI, i gjithë kabineti qeveritar është përfshirë në një Work-Shop për të koordinuar veprimet në përmbushje të kërkesave të Komisionit Europian, të lidhura me integrimin.

Gjithçka e realizuar gjatë këtyre muajve, deklaroi ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha është e rëndësishme por duhet çuar më tej.

“Është hartuar plani kombëtar për zbatimin e objektivave të MSA-së 2014. Qëllimi ka qenë monitorimi dhe zbatimi i objektivave. Plani do të jetë një instrument i të gjitha ministrive, që do të bëhet në koordinim. Krahas përditësimit dhe zbatimit të objektivave të planit, janë ngritur të gjitha grupet e punës”, deklaroi Gjosha.

Kreu i misionit të BE-së, Ettore Sequi u shpreh se në realizimin me sukses të reformave nevojitet vizion, burime njerëzore dhe vullnet politik.

“Shikoj në këtë sallë të gjithë përbërësit e duhur, për të patur vizionin dhe ne, BE bashkë me burimet e saj dhe natyrisht me ato burime njerëzore që ka Shqipëria, mund të ecim më përpara. Suksesi nuk vjen rastësisht, por vjen me anën e ndryshimit. Plani kombëtar i integrimit europian duhet të jetë jo vetëm një hap strategjik, por edhe një dokument reference e dinamike”, u shpreh Sequi.

Është një proces i komplikuar por po aq i rëndësishëm, tha zëvëndëskryeministri Niko Peleshi, që ne të ballafaqojmë procesin tonë, rrugën tonë me rrugën e vendeve të tjera që shkojnë paralel me ne ose janë disa hapa para nesh.

“Qeveria e re që në fillim të punës së vetë e shpalli planin e integrimit evropian si detyrën e vetë, të planit të vetë strategjik të zhvillimit kombëtar”, deklaroi Peleshi.

Eksperti Adam Lazowski këshilloi ministrat se duhet të përfshihen në përpjekje të koordinuara, pasi raporti i parë i Shqipërisë në Komisionin Europian është në prill dhe më pas në gusht dhe për këtë nevojitet një plan shumë i detajuar teknik. Sipas tij, plani kombëtar duhet të jetë i sinkronizuar me strategjinë kombëtare për zhvillim dhe integrim.

Top Channel