Festa e karnavaleve në Dropull

03/03/2014 00:00

Karnavalet e Dropullit që përkujtojnë ritin pagan të këmbimit të
stinëve, rilindjes së jetës dhe përgatitjes praktike për një sezon të ri
punësh kanë krijuar një atmosferë festive në Dropull.

Dhjetëra banorë me maska dhe veshje sollën në shesh personazhe komikë dhe ironizuan shumë sjellje sociale nga jeta e përditshme dhe politika.

“Ju uroj të gjithëve Karnavale të Gezuara! E kemi pasur këtë traditë gjithë jetën, e kanë bërë gjyshërit tanë dhe më vjen mirë që e shoh akoma dhe sot që jam e moshuar. Nuk di të them cfarë është , por është një festë ku të gjithë gëzojmë dhe mblidhemi bashkë”, thotë një banor.

“Këtë vit kanë ardhur shumë njerëz nga Greqia për të festuar. Janë raste që na mbledhin së bashku e na kujtojnë cfarë kemi trashëguar. Gëzuar të gjithëve”, thotë një tjetër banor.

Karnavalet e Dervicianit janë eventi më i madh i këtij lloji që organizohet në Jug të vendit dhe një festë që sjell përvec personazheve aktualë elementë tipikë tradicionale të trashëguar ndër shekuj sic janë këmborët “për të trembur dimrin” , degët e pemëve dhe veshjet e ritualeve të caktuara rurale.

Top Channel