Nata e çmimeve “Oscar”

02/03/2014 00:00

Eventi më i rëndësishëm kinematografik botëror i vitit, “The Oscars”, që do të zhvillohet në Los Angeles, do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në kanalet T+, Plus HD dhe My Music të “Digitalb” për publikun shqiptar.

Nga ora 23:30 e së dielës, deri në 6:00 të mëngjesit të së hënës, në studio me Elona Duron dhe Andi Delianën do të mund të shikohet gjithçka ndodh jashtë dhe brenda “Dolby Theater”, me të ftuar që do të komentojnë, duke nisur nga ana estetike, emrat e njohur të kinemasë, deri te filmat në garë, me kuriozitete mbi realizuesit e tyre dhe aktorët e kandiduar.

“Do të nisë me tapetin e kuq, aty ku do të shohim të kalojnë yje të kinematografisë. Nga ana tjetër, unë në studio nuk do të jem vetëm, por do të kem të ftuar edhe një stiliste, e cila do të komentojë edhe më me detaje veshjen, hijeshinë, stilistët ndërkombëtarë, që i prezantojnë aq bukur yjet dhe idhujt tanë të kinematografisë. Prej orës 00:00 deri në 02:00 të mëngjesit nis ‘Oscars PreShoë’, ndërsa nga ora 02:30 deri në 06:00 të mëngjesit do të jetë ceremonia e ndarjes së çmimeve ‘Oscar’, ku do të shohim trofetë, nën drejtimin e personalitetit mediatik amerikan Ellen DeGeneres”, shprehet Elona Duro, prezantuese e emisionit.

“Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve do të kemi të ftuar në studio. Do të shikojmë se si do të zhvillohet ceremonia. Me përkthim simultant gjithashtu do të komentojmë, ku na jepet rasti, mbi aktorë, regjisorë, fenomene, tendenca, që janë sigurisht pjesë e ceremonisë së ndarjes së çmimeve. Por, do të flasim edhe për gjëra që mund të mbulojmë ne, disa gjëra më tepër në mënyrë më të personalizuar”, thekson Andi Deliana, prezantues.

Ky transmetim ekskluziv për Shqipërinë është pjesë e programeve speciale, që “Digitalb” ka përgatitur në 10-vjetorin e krijimit.

E duke iu rikthyer ceremonisë së 86-të të “Oscars”-ve, përpos të kandiduarve, në skenë do të ngjiten për të dhënë çmimet, një listë e gjatë yjesh kinematografike, si Robert De Niro, Whoppi Goldberg, John Travolta, Anne Heatheway, Angeline Jolie, Brad Pitt, Christof Walz.

Pjesëmarrës, edhe zëra legjendarë në garë për këngën më të mirë origjinale, por edhe me perfomanca “live” në skenë, mes të tjerësh U2 dhe Pink.

Top Channel