Cani: Pas FMN-së, edhe kredi të reja

02/03/2014 00:00

Ministri i Financave deklaroi se qeveria do të tërheqë rreth 110 milionë euro këtë vit  nga paketa e kredisë që akordoi Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Nga ana teknike, marrëveshja nënkupton nëntë këste, të cilat fillojnë i pari siç jeni në dijeni në Mars, pastaj do të vijojnë në varësi nga ecuria dhe kërkesa jonë. Afërsisht, le të themi se çdo vit do të ketë afërsisht 110 milionë euro në tre vjet, me terma më të butë se sa kushtet e tregut dhe që i hap rrugë edhe marrëveshjeve të tjera, si me Bankën Botërore, po ashtu edhe të një granti të mundshëm me Bashkimin Europian, të nevojshme këto për mbështetjen e buxhetit dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit privat”, deklaroi Shkëlqim Cani.

Por, kredia me FMN që në total shkon 330 milionë euro, është vetëm një nga burimet që do të mbështesin buxhetin në tre vitet e ardhshme. Qeveria pret që brenda këtij viti të sigurojë edhe dy financime te tjera nga donatorët.

Kredia e Bankës Botërore pritet të jetë në vlera të përafërta më atë të FMN. Ndërsa Bashkimi Europian mund të mbështesë  buxhetin me 50 milionë euro grant duke plotësuar paketën e financimeve që do të përdoret për të shlyer borxhet ndaj biznesit, proces që nis këtë muaj.

“Janë realizuar të gjitha procedurat e nevojshme për fillimin e procesit të shlyerjes së detyrimeve”, tha Cani.

Ministri i Financave tha se e gjithë paketa e financimeve është një mbështetje e fuqishme për rritjen ekonomike, që pritet të përmirësohet këtë vit.

“FMN, BB, BE dhe të tjerë flasin për një rritje ekonomike të Shqipërisë për 2$ në vitin 2014 dhe këto janë pritshmëritë, ndaj unë kam folur për mbështetje të kësaj huaje me atë që ne e quajmë rritje ekonomike”, shtoi Cani.

E gjithë paketa e financimeve është e kushtëzuar me reforma, kryesisht për të konsoliduar financat publike. Por, se për cfarë kushetesh konkretë kanë rënë dakord qeveria me donatorët, kjo pritët të bëhet publike kur marrëveshja me fmn të shkojë për ratifikim në Parlament.

Top Channel