Itali, aventura e hidhur e shqiptarit

01/03/2014 00:00

Një keqkuptim, që për fat të mirë përfundoi shpejt, rrezikoi të kishte rrjedhoja të rënda për një shtetas shqiptar. Në Raguza të Siçilisë, një patrullë e forcave të rendit arrestoi një 32-vjeçar që mendohej se ishte një i kërkuar nga Interpoli.

Si portreti i tij, ashtu edhe të dhënat në patentë përputheshin më ato të një personi të rrezikshëm në kërkim ndërkombëtar. Fakti që i arrestuari kishte dy pasaporta shqiptare, të dyja të vlefshme, kishte krijuar bindjen tek karabinierët se diçka nuk shkonte.

Pas një nate të kaluar në stacionin e karabinierëve dhe pas një krahasimi më të kujdesshëm të të dhënave me ato të skedës së të kërkuarit, 32-vjeçari shqiptar u la i lirë.

Në bazë të elementeve të tjera fizike, të përmbajtuar në bankën e të dhënave të shërbimit të bashkëpunimit të Shengenit, personi i kërkuar nuk ishte ai.

Përpara se të largohej, shtetasi shqiptar duket se u ka treguar karabinierëve se nuk është hera e parë që i ndodh diçka e tillë. Një episod i ngjashëm i ka ndodhur edhe në atdhe, ku edhe policia shqiptare e ka ngatërruar me të shumëkërkuarin e rrezikshëm.

Top Channel